KQZ: Nënshkruesit e peticionit për Trustin janë qytetarë me të drejtë vote
Lajme

KQZ: Nënshkruesit e peticionit për Trustin janë qytetarë me të drejtë vote

RTKlive

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një deklaratë për media ka konfirmuar se 17.197 nënshkruesit e peticionit për ndarjen e 30 përqind të Trustit janë qytetarë me të drejtë vote në Republikën e Kosovës.

“Pas pranimit të kërkesës nga kryetari i Kuvendit, z. Konjufca, për verifikim të listës së nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës, përkrahës të nismës legjislative për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për fondet pensionale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbushur detyrimet ligjore në pajtim me Ligjin për Nisma Legjislative 04/L-025”, thuhet në deklaratë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar listën e nënshkrimeve në raport me listën e fundit të votuesve, e cila i takon Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit 2021 dhe të cilën e posedon KQZ-ja.

“Pas procesit të verifikimit të listës së nënshkrimeve të peticionit, rezulton se 17,197 nënshkrues të peticionit janë qytetarë me të drejtë vote të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në deklaratë.

E lidhur me këtë, gjatë ditës së sotme, KQZ e ka informuar zyrtarisht kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.


APR
Romay Lift