Strack-Zimmermann: Konfliktet në Ballkan duhen zgjidhur me diplomaci
Foto: bundestag.de
Lajme

Strack-Zimmermann: Konfliktet në Ballkan duhen zgjidhur me diplomaci

DW

Kryetarja e komisionit të mbrojtjes në Bundestagun Gjerman shprehet që mosmarrëveshjet për targat të zgjidhen me dakordësim dypalësh.

Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, tha se grindja aktuale mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave dhe dokumenteve të udhëtimit duhet të zgjidhet në pajtim mes dy palëve.

 "Ne kemi diplomatët e duhur atje, kemi BE-në atje dhe do të jetë detyra jonë që t'i ulim në një tryezë të përbashkët të dy palët në konflikt."

Tensionet e fundjavës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ishin të mërkurën, me 3 gusht, pasdite në rend të ditës së seancës së jashtëzakonshme të Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin Federal të Gjermanisë.

 "Lufta e Ukrainës e ka rritur ndjeshmërinë tonë për konfliktet e tjera në botë. Prandaj edhe detyra jonë në Ballkanin Perëndimor është që të kujdesemi me mjete diplomatike që të arrihet qetësia", tha më tej Strack Zimmermann.

Qeveria gjermane ishte shprehur e shqetësuar për situatën në Kosovë qysh në fillim të javës. Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha se në rast nevoje KFOR-i do të ndërhyjë për të vendosur paqen.

Në qershor parlamenti gjerman e zgjati edhe me një vit mandatin e pjesëmarrjes gjermane në kuadër të forcave të KFOR-it. Aktualisht në Kosovë janë të stacionuar vetëm 65 ushtarë gjermanë, por në rast nevoje kontingjenti mund të shkojë deri në 400.

 

 


APR
Romay Lift