Blakaj: Për keqardhje zgjedhja e Deliq, zv/Kryetar i Kuvendit të Serbisë
Foto: RTKLive
Lajme

Blakaj: Për keqardhje zgjedhja e Deliq, zv/Kryetar i Kuvendit të Serbisë

Jeton Musliu / RTKlive

Është për keqardhje që në Kosovë, nënkryetare e Kuvendit është një viktimë e luftës së cilës serbët ia vranë familjen dhe vetë mori plagë të rënda e në Serbi në të njëjtën pozitë është dikush që komandoi ushtarët për të kryer vrasje.

Kështu deklaroi Bekim Blakaj, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në emisionin “lajmet e Fundit” në RTK.

Duke iu referuar Bozhidar Deliq, i sapozgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, Blakaj deklaroi se ky person për herë të dytë është vendosur në këtë post.

Ai tha se Deliq ishte nënkryetar i Parlamentit të Serbisë edhe në legjislaturën 2008-2012, atëherë nga Partia Radikale.

“Kjo është për keqardhje sepse nuk ka pasur vendim gjykate që bën atë fajtor, por  faktet tregojnë se ku ka komanduar ai gjatë luftës në Kosovë, janë kryer krime të tmerrshme”, thotë Blakaj.

Ai shpjegon se Deliq ka qenë komandant i ushtrisë së Serbisë në rajonet e  Gjakovës, Prizrenit, Suharekës e Rahovecit.

“Zgjedhja e tij si nënkryetar i Parlamentit të Serbisë tregon raportin e institucioneve të këtij vendi  ndaj viktimave në Kosovë”, thotë Blakaj.

Sipas tij, deklarimi i Presidentes Osmani e cila ka bërë krahasim për pozitën e njëjtë se kush ndodhet në Kosovë e kush në serbi, si nënkryetarë të Kuvendeve, flet shumë për dy shoqëritë.

“Në Kosovë, nënkryetare është  znj. Bogujevci së cilës i janë vrarë familjarë dhe vetë ka marrë plagë të rënda e në Serbisë në të njëjtën pozitë është dikush që është përgjegjës për krime të luftës. Kjo flet shumë për dy shoqëritë”, tha bekim Blakaj nga FHD në Kosovë.


APR