LDK: Vendi drejt krizës energjetike, Qeveria neglizhon situatën
Foto: RTKLive
Lajme

LDK: Vendi drejt krizës energjetike, Qeveria neglizhon situatën

Jeton Musliu / RTKlive

Kosova është futur në krizë energjetike, që dita ditës po bëhet e pa përballueshme për qytetarët. Kështu deklaroi ish-ministri i Bujqësisë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa. Në konferencë për medie, Mustafa tha se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vitin e kaluar kishte paralajmëruar krizën energjetike, por që sipas tij, nuk ishte marrë parasysh nga pushteti.

“Përderisa qytetarët po përjetojnë gjendjen e rëndë me norma rekorde të inflacionit të cilat nga muaji në muaj vetëm po rriten, pushteti  ka zgjedhur ta luaj rolin e spektatorit”, tha Mustafa.

Mustafa u shpreh se edhe pse Qeveria e Kosovës premtoi subvencionim prej 90 milionë eurove për energjinë, sektori i energjisë është drejt bankrotit.

“Aq e rënduar është gjendja dhe aq të pakoordinuara janë veprimet e qeverisë sa që edhe ZRrE-ja është shndërruar në departament të qeverisë”, tha Mustafa.

“Tanimë që sezoni i dimrit po afron shpejt, i kërkojmë qeverisë t’i përgjigjet këtyre pyetjeve: A do të ketë mjaftueshëm energji në dimër, apo do të ketë reduktime? A do të shtrenjtohet më shumë çmimi i energjisë për qytetarët dhe për prodhuesit vendor dhe nëse po, sa?  Me rastin e rritjes së pa përballueshmërisë, çka do të bëjë qeveria për qytetarin? Sa familje kosovare rrezikojnë të varfërohen nga rritja e çmimit të energjisë dhe produkteve esenciale? ”, pyeti deputeti i LDK-së.

Mustafa tha se LDK tash e disa kohë ka dhënë propozimet e saj për zbutjen e krizës energjetike.

Sipas tij, propozimet janë remonti me kohë i blloqeve të KEK-ut, sigurimi në kohë i importit të energjisë elektrike përmes kontratave afatgjata dhe me kosto të përballueshme, eliminimi i tërësishëm i TVSh-së në faturat e energjisë elektrike, eliminimi i tarifave diskriminuese, masa nxitëse si burim alternativ për ngrohje, e masa nxitëse dhe financuese për efiçiencë të energjisë.


APR
Romay Lift