Kusari-Lila: Ligji për paga dhe Kodi Civil trajtohen në sesionin vjeshtor
BKT
Foto: Elmina Osmani
Lajme

Kusari-Lila: Ligji për paga dhe Kodi Civil trajtohen në sesionin vjeshtor

E.Hoti/RTKlive

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur të hënën konferencën e fundit për sesionin pranveror.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke paraqitur punën e këtij grupi, tha se kanë arritur të miratojnë 87 ligje dhe 18 marrëveshje ndërkombëtare.

“Kuvendi ka arritur të thyejë rekordin e miratimit të ligjeve që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, me 87 ligje të miratuara në të dy leximet dhe 18 marrëveshje të arritura ndërkombëtare”, tha ajo.

Në një konferencë bashkë ​me kryetarin e komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, Kusari -Lila tha se më 1 shtator presin edhe fillimin e zbatimit të vendimit për reciprocitetin.

“Parashohim të fillojë zbatimi i vendimit. Shtyrja ka qenë koordinim i Qeverisë, Presidencës, ShBA-së dhe BE-së, për shkak të një fushate të madhe dezinformuese nga shteti i Serbisë, dezinformata në raport me procedurën e zbatimit”, tha ajo.

Ajo ka folur edhe për Ligjin e pagave dhe Kodin Civil,  për të cilët tha se do të trajtohen gjatë sesionit vjeshtor.

 “Të dyja do të trajtohen në sesionin vjeshtor, Ligji i pagave dhe Kodi Civil. Kemi mendime ndryshe në kuadër të grupit, megjithatë si legjislacion është vlerësuar si më i rëndësishmi pas Kushtetutës së vendit. Përkundrejt mendimeve ndryshe edhe në kuadër të grupit tonë parlamentar, jemi optimist se Projektkodi Civil do të kalojë në këtë sesion vjeshtor”, tha ajo.

Tutje, Mimoza Kusari-Lila ka folur edhe për ndikimin rus përmes mediave dhe rrjeteve të ndryshme sociale.

 “Sa i përket ndikimit rus, Qeveria e Kosovës është vlerësuar si një prej qeverive më proaktive në rajon lidhur me parandalimin e ndikimit rus”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Rrustemi paralajmëroi kontribut të shtuar në sesionin vjeshtor në mbështetje të çështjeve dhe grupeve që kanë nevojë.


MË SHUME NGA Lajme