Zëdhënësi i KEDS-it për RTK: Do të aplikojmë edhe për shqyrtim të tarifave
Lajme

Zëdhënësi i KEDS-it për RTK: Do të aplikojmë edhe për shqyrtim të tarifave

Blerim Halimi / RTKlive

Evropa tashmë është zhytur në krizë të madhe energjetike. Çmimet e energjisë elektrike në berzën ndërkombëtare kanë shënuar rekorde, prandaj paralajmërohet për krizë të madhe gjatë periudhës së dimrit edhe në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se ka pranuar aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në një lidhje direkte në Lajmet Qendrore të RTK-së, ka thënë se kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale është bërë për mungesë të pagesës së subvencionimit nga ana e Qeverisë.

“Kemi kërkuar rritje të hyrave maksimale të lejuara në nivelin 466 milionë euro. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e mospagesës së subvencionit nga ana e Qeverisë prej 90 milionë euro. Nga muaji shkurt kur është marrë vendimi deri më tash është dashur të paguhen 33 milionë euro, por nuk është paguar asnjë cent. Kjo na ka sjellë vështirësi në operim dhe është dashur t’i drejtohemi sërish ZRRE-së“, ka theksuar Buzhala.

Ai ka thënë se edhe kostot e importit kanë lëvizur më tepër se sa iu është lejuar në muajin shkurt.

“Kur kalohet 5 përqindshi i materialitetit, përkatësisht i shpenzimeve ne jemi të detyruar që të aplikojmë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave maksimale. Gjatë këtyre ditëve do të aplikojmë edhe për shqyrtim të tarifave”, ka shtuar zëdhënësi i KEDS-it.

Sipas tij qytetarët do të përballen me rritje të çmimit të energjisë me të hyrë në fuqi tarifat e reja, teksa ka apeluar tek qytetarët që të bëjnë zgjidhje për ngrohje dhe të mos llogarisin në ngrohje me energji elektrike.

“Këto mjete është dashur të mbulohen, por fatkeqësisht nuk janë mbuluar deri më tani. Pa na u mbuluar kosto e shpenzimeve e kemi të pamundur kontinuitetin e operimeve. Qytetarët i lusim që t’i përshtasin kalldajat në forma alterantive për ngrohje gjatë dimrit”, ka nënvizuar ai.

Buzhala ka thënë se e tërë Evropa është në krizë, e ku çmimet janë të çmendura në berzë.

“Në mes të korrikut është thyer rekordi i të gjitha kohërave prej 700 euro për megavat. Indikacionet janë se do të jetë një dimër shumë i vështirë, sepse përveç çmimeve statosferike, edhe sigurimi i energjisë në treg do të jetë i vështirë“, ka vijuar ai.

Ai ka thënë se furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Kosovës do të varet nga shumë indikatorë.

“Kjo varet edhe nga prodhimi vendor, por edhe nga kërkesa vendore. Nëse prodhimi është i kënaqshëm, kërkesa bie dhe energjia nuk përdoret për ngrohje, atëherë indikatorët janë të mirë. Por nëse kërkesa vazhdon të rritet, çmimet vazhdojnë të rriten dhe prodhimi është ai që është nga termoelektranat tona, atëherë do të jetë vështirë“, ka përfunduar Buzhala.

Nga ana e saj, ZRRE ka bërë të ditur se do të shqyrtojë kërkesën për të hyrat maksimale të lejuara dhe do ta mbajë të njoftuar publikun në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.


MË SHUME NGA Lajme