Hoti nuk beson në arritjen e marrëveshjes Kosovë - Serbi për të zhdukurit
Rtklive
Foto / RTK
Lajme

Hoti nuk beson në arritjen e marrëveshjes Kosovë - Serbi për të zhdukurit

Rrezarta Zekaj/Radio Kosova

Nënshkrimi i një deklarate për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, nuk është konfirmuar nga kryetari i delegacionit për persona të zhdukur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Andin Hoti.

Ai tha për Radio Kosovën, se një gjë e tillë nuk mund të ndodhe pasi në takimin e fundit pala serbe kishte refuzuar të përdoret termi “ personat e zhdukur me forcë” ashtu sic është kërkuar nga pala kosovare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takohen më 18 gusht në Bruksel, dhe në atë takim, sipas mediave në Beograd, do të duhej të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Siç shkruan gazeta serbe “Nova” teksti i deklaratës është harmonizuar dhe është duke u pritur momenti që ajo të nënshkruhet. Por një gje e tillë nuk është konfirmuar nga Kryetari i delegacionit për persona të zhdukur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Andin Hoti. Ai tha për radio Kosovën se nuk është në dijeni për nënshkrimin e ndonjë deklarate të tillë.

 “Deri në takimin e fundit të brukselit, do të thotë të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e personave të zhdukur për deklaratën, nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje dhe unë nuk jam në dijeni se do të arrihet një marrëveshje e tillë në Bruksel dhe nuk e besoj një gjë të tillë” ka thënë Hoti.

Hoti tha se nënshkrimi i deklaratës për personat e pagjetur është diskutuar në disa raunde të mëparshme të dialogut në Bruksel, por pala serbe ka refuzuar qëndrimin e palës kosovare për aspektin terminologjik:

“ Në takimin e fundit, ku unë kam qenë present në takim, pala serbe ka refuzuar të përdoret termi “ personat e zhdukur me forcë” ashtu sic është kërkuar nga ana jonë, për të përshkruar të vërteten e ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë. Pala serbe e ka refuzuar një gjë të tillë dhe I ka refuzuar edhe disa prej pikave të tjera dhe nuk është arritur ende asnjë dakordim mes palëve për këtë deklaratë dhe nuk besoj se do të arrihet ndonjë marrëveshje e tillë pa dakordim edhe për anën teknike” tha Hoti.

Ndryshe agjenda zyrtare e takimit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit me 18 gusht në bruksel nuk është bërë publike. 

 


MË SHUME NGA Lajme