Kurti për Reuters: Jemi vigjilentë, por jo të frikësuar
Foto: Reuters
Lajme

Kurti për Reuters: Jemi vigjilentë, por jo të frikësuar

Blerim Halimi / RTKlive

Kosova është e përgatitur t’i kundërvihet një sulmi të mundshëm nga Serbia, pasi përkeqësimi i mosmarrëveshjeve me pakicën serbe mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur, tha kryeministri Albin Kurti, të mërkurën, në një intervistë për Reuters.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë u rikthyen sërish në fillim të këtij muaji, kur Qeveria e Kosovës vendosi masat e reciprocitetit ndaj dokumenteve serbe. Por, situata u qetësua pasi Kurti, me rekomandimin e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, vendosi ta shtyjë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë si dhe për pajisjen e qytetarëve të veriut me targat RKS për veturat e tyre.

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar” tha Kurti për Reuters.

Ai tutje theksoi se kur e thotë këtë nuk mendon në atë se ‘do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”.

Partitë opozitare në Kosovë e kanë akuzuar Kurtin se po i frikëson investitorët duke folur hapur për një konflikt të ri të mundshëm me Serbinë. Por, kryeministri i ka hedhur poshtë këto akuza. Ai akuzoi Rusinë, e cila është aleatja kryesore e Serbisë, për rolin e saj në nxitjen e tensioneve të reja etnike në Kosovë.

“Presidenti despotik (rus) (Vladimir) Putin është një njeri i luftës dhe ai do të kishte interes të përhapte luftën sepse dëshiron ta normalizojë luftën”, tha tutje Kurti, duke aluduar për pushtimin e Rusisë në Ukrainën fqinje në shkurt të këtij viti.

“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe të mbrojtjes, Kosova tani është shtet, nuk është viti 1998. Tani është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë”, shtoi Kurti.

Reuters në fund ka rikujtuar se më 18 gusht Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq me ftesë të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme