Kurti: Investimi në rini është investim afatgjatë për vendin-video
Afet BELA/ RTKlive
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Për këtë Grupi i Deputetëve të Rinj në Kuvendin e Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Kryeministri i Kosovës, në Ditën e Rinisë tha se investimi në rini është investim afatgjatë për të ardhmen e një vendi, raporton RTKlive.
Ai ka folur edhe për zhvillimin e vendit, duke thënë se ne kemi pasur zeje. “Përveç industrisë që sot është në botë, neve na nevojitet edhe prodhimi vendor. Ne duhet të sjellim investime, por na duhen edhe prodhime artizanale”, tha ai sot në Kuvendin e Kosovës.
Kurti vlerësoi se të rinjtë e Kosovës kanë dëshmuar se mund të kenë sukses për të mirë duke arritur suksese në garat ndërkombëtare.
“Më shembujt në arte, sporte, muzikë, xhudo, e futboll, ne kemi treguar se mund të kemi sukses edhe në fusha të tjera. Të gjithë njerëzit e suksesshëm janë motiv dhe inkurajim për të tjerët. Nëse shoqëritë e tjera po plaken, ne jemi shoqëri e re, rinia nuk është flegmatike, ajo është pasardhëse e luftës dhe e rezistencës”, tha ai.
Ai ka folur edhe për largimin e të rinjve nga atdheu. “Është thelbësore edukimi i të rinjve për historinë, ne kemi kaluar nga shoqëria paralele, në suksesin e shoqërisë sonë. Nëse të rinjtë tanë po largohen nga vendi, ne si shoqëri lidhjen me atdheun e kemi të pazgjidhshme”, tha ai.























