LDK: Qeverisja e zero projekteve
Valjete Shala/ RTK
(E plotësuar) Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar qeverisjen për paaftësi në numra. Sipas kësaj partie kjo qeverisje është qeveri e zero projekteve.
"Bazuar në thesarin e gjashttë mujorit, shihet paaftësi. Në katër ministri dhe në disa fusha kanë 0 % realizim të projekteve kapitale. Ministria e Ekonomisë dhe katër ministri të tjera kanë realizuar 0 % të projekteve kapitale. 38 komuna kanë po ashtu 0 mbështetje. E gjithë kjo po bëhet në këtë kohë të vështirë për vendin", ka thënë Xhafer Tahiri, sot gjatë konferencës për medie të LDK-së.
Ndërsa, sipas Jehona Lushakut anëtare e kryesisë së LDK-së, ministria e Financave, ka arritur të realizojnë vetëm 1 për qind, për investime kapitale në 6 muajt e parë të këtij viti, kurse 47 projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me avancimin e sistemeve për menaxhimin e financave publike, kanë zero realizim nga kjo ministri.
Lushaku ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka realizuar më pak se 10% të investimeve kapitale.
“Kjo qeveri dëshmon se është e pa aftë, rrjedhimisht duke mos ekzekutuar buxhetin që ka, do të mbetet një qeveri e zerove”, tha pos tjerash Lushaku.























