Presidenti Begaj viziton Kosovën, policia me plan, për siguri në qarkullim
N. Mekolli /RTKlive.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, me rastin e fillimit të mandatit të tij.
“Me datën 14 deri 16 gusht 2022, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Bajram Begaj, së bashku me një delegacion shoqërues të presidencës”, njofton zyra për informim e PK-së.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete zyrtare”, njofton zyra për informim e policisë së Kosovës.
Bëhet e ditur se, për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të takohet më liderët e lartë shtetëror të vendit.
Në një njoftim të zyrës për informim të Presidencës thuhet se, Begaj vjen të hënën në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, e cila në orën 10:00 do ta presë presidentin Begaj me ceremonitë më të larta shtetërore.
Vizitën e presidentit Begaj e ka paralajmërua edhe Kuvendi i Kosovës. “Të hënën, 15 gusht 2022, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj”,thuhet në njoftim.























