Sveçla: Qytetarët serbë s’janë palë e “dorës së tretë”
BKT
Foto: Ministria e Brendshme
Lajme

Sveçla: Qytetarët serbë s’janë palë e “dorës së tretë”

Fadil Sertolli / RTKlive.com

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka vizituar të shtunën komunat veriore.

Sveçla me këtë rast ka shkruar në Facebook se serbët e Kosovës nuk janë palë të “dorës së tretë”.

  “Ata janë banorë, qytetarë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe gëzojnë të njëjtat të drejta”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

 “Duke pasur parasysh proceset e përbashkëta që na presin, përgjatë takimeve theksova rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet tona në mënyrë që t’i kalojmë ato më lehtë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë në vendin tone”, ka thënë Sveçla.

Ai po ashtu ka thënë se i ka vizituar edhe fshatrat me shumicë shqiptare në Veriun e Kosovës – duke shtuar se “nuk e kanë pasur mbështetjen e shtetit”.

“Natyrisht, vizitova edhe fshatrat shqiptare në veri ku për më shumë se dy dekada vërehej qartë mungesa dhe përkrahja e shtetit në këtë pjesë të vendit. Këta bashkëqytetarë janë të vendosur që të qëndrojnë në atë anë ku me pune e djersë, të sigurojnë jetë e prosperitet për ta dhe fëmijët e tyre. Pa asnjë dyshim ne do te jemi me ta dhe për ta”, ka thënë ai.

Sveçla po ashtu ka takuar edhe  pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Si çdo herë, vërehej përkushtim e disiplinë e pashoq që garanton rend, ligj dhe siguri për të gjithë”, ka shkruar i pari i Ministrisë së Brendshme, Xhelal Sveçla.


MË SHUME NGA Lajme