“Ditë e Kuqe” shpërblehet me çmimin “Kinematografia më e mirë” në Spanjë
Kulturë

“Ditë e Kuqe” shpërblehet me çmimin “Kinematografia më e mirë” në Spanjë

Shqipe Gashi/RTKlive

Filmi me regji të Besim Ugzmajlit “Ditë e Kuqe” është shpërblyer me një tjetër çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Cerdanya” në Spanjë. Ai u shpërblye me çmimin “Kinematografia më e mirë”.

Filmi “Ditë e Kuqe”, është film i prodhuar në vitin 2021, ka qenë pjesë e më shumë se 30 festivaleve ndërkombëtare dhe vazhdon të përzgjedhet në festivale të tjera.

Regjisori i filmit Besim Ugzmaili thotë se ndjehet shumë i lumtur për këtë çmim dhe se filmi është vlerësuar me çmimin për kinematografinë më të mirë në një festival prestigjioz siç është Cerdanya International Film Festival në Spanjë.

“Pa dyshim ndjehem i lumtur që filmi “Ditë e Kuqe”, është vlerësuar dhe është shpërblyer me këtë çmim në një festival të rëndësishëm si ky në Spanjë, filmi “Dritë ë Kuqe” ka fituar çmimin për kinematografinë më të mirë, ky festival është i akredituar nga Akademia e Filmit Spanjoll, ku filmi konkurron për Goya Award. Është kënaqësi që me filmat e mij kanë pasur rast të fitojnë edhe aktorët e edhe drejtorët e fotografisë, meqë puna e tyre rrallëherë vlerësohet në festivale të filmit”, thotë regjisori i filmit për RTKlive.

Filmi “Ditë e Kuqe” do ta ketë premierën kombëtare në Kosovë në muajin shtator.

Në këtë film luajnë aktorë: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Blin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egzona Salihu, Milot Salihu. Drejtor i fotografisë Aleksandar Krstevski, Kompozitor Memli Kelemndi me korin e tij  ”Sipararantum Choir”, Asistentët Sovran Nrecaj, Lorena Sopi, Leart Binaku, Ndriçuesi Hajrullah Elelezit, Kostumografe Eleonora Gagica, Dizajner Ngadhënjim Ismani, Skenograf Bekim Korça.


MË SHUME NGA Kulturë