Osmani për bartjen e shamisë: Kushtetuta orientim i institucioneve
Rtklive
Lajme

Osmani për bartjen e shamisë: Kushtetuta orientim i institucioneve

Blerim Halimi / RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani ka komentuar çështjen e lejmit të shamisë në shkolla. E pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, e para e shtetit ka thënë se Kushtetuta e vendit duhet të jetë orientim parësor për këtë çështje, derisa kushdo që mendon se i shkelet e drejta duhet t’i drejtohet instancave të drejtësisë deri te Gjykata Kushtetuese.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë dhe vazhdon të jetë orientim parësor i institucioneve të Republikës së Kosovës për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kjo kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fondamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues, ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Kosovës të respektohet ky parim”, ka theksuar Osmani.

Çështje tjetër sipas Osmanit që e ka përcaktuar qartë kjo kushtetutë është detyrimi i të gjitha institucioneve publike të Republikës së Kosovës që respektojnë vendimet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si standarde nëpërmjet të cilave zgjidhjet çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ajo tutje ka potencuar se për dallim nga shumë kushtetuta anekënd botës që nuk ia lejojnë individit të drejtën që ta dërgojë një çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese, në Kosovë ekziston kjo mundësi.

“Prandaj në qoftë se dikush mendon se po i cenohet ndonjë e drejtë, ekzistojnë rrugët ligjore, administrative e kushtetuese që ta adresojnë këtë çështje në të gjitha këto instanca deri tek Gjykata Kushtetuese. Si presidente e vendit do të vazhdoj të kërkoj që të respektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë, por edhe shoqëria jonë si shoqëri progresiste, si shoqëri që i shikon parimet dhe vlerat euroatlantike si fundament të saj”, ka thënë Osmani.

Sa i përket propozimit që mosha të zbresë tek 16 vjet, sipas presidentes nëse kjo çështje lidhet me të drejtën e votës atëherë ajo do të kërkojë ndryshim të Kushtetutës. “Sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por çdo ndryshim legjislativ kushtetues përfundimisht do të jetë vullnet i deputetëve të Republikës së Kosovës dhe unë asnjëherë deri më tash nuk e kam imponuar vullnetin tim mbi deputetët, por siç e thashë është shumë me rëndësi që ky bazament kushtetues i Republikës sonë të respektohet”, ka shtuar presidentja.

Së fundmi është duke u zhvilluar një peticion i qytetarëve nëpërmjet të cilit po kërkohet ndryshmi i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit, i cili e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla të mesme e të larta.


MË SHUME NGA Lajme