Presidenti Begaj vizitoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit
Rtklive
Myrvete Axhami / RTK
Lajme

Presidenti Begaj vizitoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit

Myrvete Axhami / RTK

(E plotësuar) Pas takimeve me partitë opozitare, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka vizituar Prizrenin. Atje ai vizitoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si dhe udhëheqësit lokal të kësaj komune.

Në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, presidenti Begaj nderoi burrat e kombit Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi. Nga ky vend i rëndësishëm i historisë së kombit, presidenti shqiptar dërgoi mesazhin e bashkëpunimit për të bërë realitet vizionin e asaj kohe.

"Është kënaqësi e madhe që të jem në Prizren, në qytetin e mrekullueshëm të një nga ngjarjeve më të rëndësishme të kombit shqiptar, të Lidhjes së Prizrenit. Mendoj që ardhja këtu ka një domethënie dhe simbolikë të jashtëzakonshme, sepse qyteti përfaqëson vlerat e qëndresës së bashkimit dhe bashkëpunimit . Shpresoj që kjo ngjarje të bëjë bashkë të dy anët e kufirit , të mendojmë për vizionin dhe aspiratat që kanë pasur në atë kohë udhëheqësit politik të asaj kohe dhe t'i bëjmë realitet në ditët që jetojmë”, tha Begaj.

Historiani Parim Kosova, i cili e menaxhon kompleksin e Lidhjes Shqiptare, kërkoi që muzeu të pavarësohet dhe të avancohet në muze kombëtar.

“Shpresojmë që në të ardhmen muzeun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ta pasurojmë me eksponate të reja. Jemi në pritje të shtetit shqiptarë dhe atij të Kosovës që muzeu të pavarësohet, të avancohet në muze kombëtar dhe të jetë në mbikëqyrje të dy qeverive. Shpresojmë që ky projekt i përbashkët të arrihet gjatë mandatit tuaj”, tha ai.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj takoi edhe kryetarin e komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Ata biseduan për unifikimin e shumë gjërave.

"Është privilegj dhe ndjenjë e jashtëzakonshme që presidenti i Shqipërisë viziton komunën e Prizrenit, për shkak të peshës specifike dhe traditës por edhe historinë kombëtare dhe trashëgiminë që ka qyteti. Biseduam për prespektivën, të ardhmen, për të bashkëpunuar dhe unifikuar shumë gjëra që na bashkojnë . Jam i sigurt se në këtë drejtim do të lëvizim dhe do të jemi të suksesshëm", tha Totaj.

Haradinaj i kërkon presidentit Begaj përkrahje për politikën e jashtme

Elmina Osmani/RTK

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me presidentin shqiptar, Bajram Begaj para gazetarëve ka thënë se ka kërkuar nga presidenti Begaj përkrahje për politikën e jashtme.

Haradinaj poashtu foli edhe për reduktimet e energjisë elektrike të cilat sipas tij janë rezultat i pa aftësisë së qeverisjes Kurti.

“Çështja e reduktimeve është menaxhim i keq i kësaj qeverie. Të kesh reduktime në gusht dihet faji ku është. I kam parë në vazhdimësi rreziqet për situatën energjetike në Kosovë nga mënyra se si e menagjon qeveria Kurti. Ky kryeministër është meritor për dështimin e dy investimeve në energji, termocentralit Kosova B tani Kosova e Re dhe refuzimi në gaz. Ju kam drejtuar Kurtit që ta shqyrtojë tërheqjen. Këtë ja thotë dikush që e ka pas rastin të tërhiqet dy herë. Ai duhet ta shqyrtojë seriozisht”, ka thënë ai.

Haradinaj foli edhe për takimin e kryeministrit Kurti me shefin e NATO-s për çka tha se janë falënderues që NATO nuk lejon destabilizimin e Ballkanit.
 

Krasniqi falënderon Begajn për mbështetjen që Shqipëria po i jep ish-liderëve të UÇK-së

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë takimit të sotëm me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj e ka përgëzuar atë për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.

“Presidenti Begaj nga ana e tij ka vlerësuar lart angazhimin shtetformues e shtetndërtues të PDK-së, të liderëve të saj si dhe gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Shqipërisë për proceset jetike të Kosovës me qëllim të fuqizimit të shtetësisë, demokracisë dhe proceseve integruese euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e PDK-së pas takimit.

Krasniqi e ka falënderuar presidentin Begaj për “mbështetjen që Shqipëria po jep për dy liderët tanë historikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, që nga shkuarja e tyre në Hagë”.

Kryetari i PDK-së e ka falënderuar shtetin shqiptar për adresimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kërkesës për të rishikuar rezolutën e KE-së për raportin e ish-senatorit Dick Marty.

Krasniqi tha se PDK si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, është duke punuar për të ndërtuar një vizion të ri për të ardhmen e vendit, gjithmonë në aleancë të ngushtë më shtetin shqiptar dhe aleatët nga SHBA dhe vendet e BE-së.

Begaj takohet me partitë opozitare

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po vazhdon edhe sot vizitën e tij në Kosovë.

Pas takimeve të djeshme me krerët e institucioneve, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, si dhe homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe në Prekaz, i pari i shtetit shqiptar sot ka takuar krerët e partive opozitare.  

Begaj ka zhvilluar takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, derisa më pas do të takojë edhe drejtues të partive tjera si dhe komandatin e KFOR-it, gjeneral Major Ferenc Kajári.


MË SHUME NGA Lajme