Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë” dorëzon kallëzim penal kundër Deliqit
Emine Hoti/ RTKlive
Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë” , ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale (PSRK) kundër komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar, tashmë nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq.
Udhëheqësja e kësaj organizate, Shkëndije Hoda tha se janë tri kallëzime penale bashkangjitur me disa dokumentacione faktike të një ditari të operimit të Brigadës 549 të motorizuar nën komandën e Bozhidar Deliqit.
“Ne e dorëzuam kallëzimin penal, edhe pse këtu procedurat paksa kanë ndryshuar.Kemi qenë të pakënaqur, por prap se prap kemi marrë fjalë të mira. Ne do të kthehemi ta marrim edhe lejen e konformimit të pranimit të këtij materiali “, tha ajo.
Lidhur me kallëzimet penale të dorëzuara edhe më herët nga kjo shoqatë dhe deri ku ka arritur procedura rreth tyre, ajo u shpreh: “Ne jemi organizatë joqeveritare, veprojmë dhe sjellim fakte, ndërsa policia dhe prokuroria i kryejnë detyrat e veta. Nuk e kanë të obliguar që të na informojnë.Gjërat nga ana e policisë po shkojnë shumë mirë”, tha Hoda.
Ajo tutje theksoi se kryerësit e krimeve janë identifikuar nëpërmjet civilëve shqiptarë gjatë kohës kur janë ndaluar ose kur janë maltretuar.
“Ekzistojnë kallëzimet penale, por tash ky material i cili është dorëshkrim nga vet oficerët e kësaj brigade na tregon më shumë.Prokuroria ka punë se janë mbi dyqind faqe.Ka punë për t’u realizuar. Ditari është në alfabeti cirilik. Aty janë emrat dhe gradat e ushtarakëve serbë”, ka nënvizuar ajo.
Ndërkaq, përfaqësuesi i shoqatës, Gjok Sokoli ka thënë se në këtë kallëzim penal janë me qindra dëshmi që konfirmojnë se Deliq ka kryer krime.
"Kam besim që ky person do të bie në dorë të Hagës. Është turp që një kriminel i luftës të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Serbisë", ka theksuar ai.
Ndryshe deri më tani, janë dorëzuar 16 kontingjente me mbi 4000 kallëzime penale për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.























