‘Dorëzohet’ United, e lë të lirë Ronaldon
RTSH
Dorëzohet Manchester United. Klubi anglez ka vendosur ta lerë të lirë Cristiano Ronaldon, pavarësisht se trajneri Erik ten Hag ka këmbëngulur se 37 vjeçari portugez nuk është në shitje dhe është pjesë e planeve të tij.
Pas përplasjeve të fundit trajner-futbollist, prania e numrit 7 te Manchester United, vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.
Lajmin e ka dhënë “BBC”, e cila ka publikuar edhe mënyrën se si ai mund të largohet që këtë verë.
Cristiano po konsiderohet një “prezencë negative” në skuadër. Në fakt, sipas mediave të ndryshme angleze, sulmuesi nuk e ka fshehur faktin se dëshiron të largohet dhe ditët e fundit nuk ka ngrënë me lojtarët e tjerë të skuadrës në mensën Carrington.
Përveç kësaj, humbjet e njëpasnjëshme kundër Brighton dhe Brentford vetëm sa kanë nxitur klimën e tensionit rreth Cristianos, i cili është në kontratë me United deri në verën e vitit 2023.
Duke parë situatën e krijuar, rezultatet negative të deritanishme të skuadrës dhe dëshirën e vetë lojtarit për t’u larguar, 'Djajtë e Kuq' mendojnë ta lejojnë që Ronaldo të largohet nga skuadra që në këtë merkato vere, e cila mbyllet në 1 shator.
E megjithatë, derisa të realizohet ky operacion, United duhet të mendojë për ndeshjen e 22 gushtit, kur në “Old Trafford” do të presë Liverpoolin e Jurgen Klopp për derbin e Anglisë.























