Ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli i vazhdohet paraburgimi-video
BKT
Lajme

Ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli i vazhdohet paraburgimi-video

Venera Adili/RTK

Gjykata Supreme në Hagë ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Veselit në liri, pasi vlerëson se mbrojtja nuk ka arritur të evidentojë ndonjë shkelje ligjore në vazhdimin e masës së paraburgimit.

Vendimi është nënshkruar nga kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, që ishte edhe kryesuese e Panelit të Gjykatës Supreme, në të cilin thuhet se Paneli e hedh poshtë në tërësi ankesën.

Në vendimin e gjykatës thuhet se Paneli rikujton se pala që kërkon mbrojtje të ligjshmërisë duhet të pretendojë një shkelje të procedurave të përcaktuara me këtë ligj dhe rregullave në pajtim me nenin 48(7)(b) të Ligjit. Me fjalë të tjera, në kontekstin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, një palë nuk mund t'i referohet vetëm shkeljes së KNJ-së ose Kushtetutës, përveç nëse të drejtat e tilla të parashikuara në të nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në Ligjin ose Rregulloren.

Paneli thekson se z. Veseli nuk ka evidentuar ndonjë shkelje thelbësore të një procedure specifike në Ligj apo Rregullore, përveç referimit të përgjithshëm të së drejtës në procedurë të garantuar në nenin 5(3) dhe (4) të KNJ-së.

“Siç u përmend më lart, paneli në mënyrë të veçantë do ta trajtojë këtë bazë të kërkesës, duke qenë se kjo është hera e parë që parashtrohet një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe ka të bëjë me paraburgimin e një të akuzuari. Paneli më tej rikujton se kur vendos për një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ai nuk vepron si shkallë e dytë e shqyrtimit që adreson gjetjet faktike të Kolegjit të Gjykatës së Apelit. Përkundrazi, një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë është një mjet i jashtëzakonshëm i kufizuar në shkeljet e pretenduara ligjore. Mospajtimi i thjeshtë me vlerësimet faktike të një paneli nuk mund të përbëjë bazën për një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë”, thuhet më tutje në vendimin e Supremes.

Paneli i Supremes ka hedhur poshtë edhe ankesën e Veselit në lidhje me garancitë nga Policia e Kosovës, që ta monitorojë arrestin shtëpiak.

“Paneli thekson se neni 41(12) i Ligjit i jep gjyqtarit të procedurës paraprake diskrecionin për të vendosur çfarëdo kushti që ai i konsideron të nevojshëm në lidhje me arrestin e mundshëm shtëpiak. Paneli vëren se Kolegji i Gjykatës së Apelit, në vendimin e dytë të Apelit, ia ktheu çështjen gjyqtarit të procedurës paraprake për të vlerësuar nëse Policia e Kosovës mund të zbatonte kushte shtesë. Kolegji i Gjykatës së Apelit vazhdoi të shpjegonte se më tej informacionet e marra nga Policia e Kosovës do t'i jepnin gjyqtarit të procedurës paraprake një bazë faktike më të plotë dhe më solide për të vlerësuar realizueshmërinë e kushteve të tilla, pa e parashikuar, sigurisht, rezultatin e përcaktimit përfundimtar për këto çështje”, thuhet më tutje në vendim.

Në muajin korrik, Ben Emmerson ishte ankuar në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë, në lidhje me lirimin nga paraburgimi.

 

 


MË SHUME NGA Lajme