Vazhdon diskriminimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës-Video
Baki Rexhepi/RTK
Diskriminimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës nga regjimi serb po vazhdon. Tani ata nga ky regjim po përballen edhe me mungesën e shërbimeve civile pranë vendbanimeve ku jetojnë.
Bëhet e ditur se institucionet që ofrojnë këto shërbime, janë vendosur vetëm pranë fshatrave të banuara me serbë. E krejt kjo ka ndodhur pasi shqiptarët në vitin 2011 bojkotuan regjistrimin e popullsisë.
Banorëve shqiptarë u duhet që të vijnë nga qyteti i Preshevës, ku edhe jetojnë rreth 3 kilometra larg në Stacionin Hekurudhor, për të vërtetuar librezën shëndetësore në zyrat e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Kjo meqë këto zyra ka vite që janë bartur këtu si pasojë e tërheqjes së institucioneve shtetërore nga qyteti i Preshevës në vendbanimet me më shumë banorë serbë.
Sipas tyre, këto zyra do të duhej të jenë në Preshevë e jo larg qytetarëve.
“Struktura nacionale e të punësuarve në zyrat e Fondit të sigurimeve shëndetësore është në disproporcion me strukturën e popullatës. Në këto zyra merren vendimet e komisioneve për
vlerësime shëndetësore e në të cilat nuk është asnjë mjek shqiptarë anëtarë komisioni. Zyrat madje nuk i plotësojnë as kushtet për qasjen në to të personave në nevojë”, deklarojnë qytetarët shqiptarë.
E në Komunën e Preshevës thonë se kanë parashtruar disa herë kërkesa në Ministrinë gjegjëse për zhvendosjen e këtyre zyrave më afër qytetarëve, por nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje.
Sipas Hevzi Ramadanit, kryeshef i Administratës në Komunën e Preshevës,që nga viti 2011, kur shqiptarët patën bojkotuar regjistrimin e popullatës në Serbi, shumë institucione republikane që i kanë përfaqësitë e tyre në Preshevë e Bujanoc, janë zhvendosur në Vrajë ose në ndonjërin nga vendbanimet me shumicë të popullatës serbe, në mënyrë që qasje e shqiptarëve në to të jetë më e vështirë.























