KOSTT: Reduktimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim -Video
Rtklive
Lajme

KOSTT: Reduktimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim -Video

Donika Sherifi RTK

KOSTT ka paralajmëruar se reduktimet me energjinë elektrike në vend do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, derisa situata me furnizim me energji të stabilizohet. Por qytetarët po ankohen se reduktimet po u shkaktojnë dëme.

Kosova do të përballet me reduktime të energjisë elektrike edhe në ditët në vijim, deri në stabilizimin e situatës me furnizim. Kështu ka bërë të ditur Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovë KOSTT, sipas të cilit, reduktimet mbesin në fuqi.

KOSTT  ka njoftuar se situata mbetet e njëjtë deri në sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg.

“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Mirëpo, me reduktimet nuk po pajtohen bizneset dhe qytetarët të cilët thonë se po i dëmton shumë mungesa e rrymës.

 “Sot si biznes i ri është ndal rryma, nuk kemi mund tu shërbejmë myshterive, nuk kemi alternativë tjetër,  produktet po prishen”, tha qytetari Endrit Gërguri.

 “Ia kam dal me vështirësi, sa i përket makinave këtu nuk mund të zhvillosh lëmi pa rrymë, po ashtu edhe akulloret atje, i dëmtuar jam prej akullores edhe do të ketë probleme të hatashme sepse lëmi ime s’mund të zhvillohet pa rrymë se çdo klient do me ja dënë shërbimin e mirë, bluarjen e kafes”, shprehet Rexhep Avziu qytetar.

 “I kemi do makina, do friza do sene atje bajagi si shumë artikuj, po nëse  vazhdon kështu problem me ia dal vallahi”, thotë Tefik Haxhiu.

 “Qikjo far ndërprerja e rrymës me të tregu drejt pak edhe na paska marr malli me na u nal, nuk është mirë po ishalla bohet një zgjidhje, tash qysh dëgjova me u shtrejtu po, me u ndërpre jo, te kqyrum, nëse ndërkrehet bohet keq edhe për biznese edhe për gjithçka”, thotë Idriz Shabani.

 “Normal që nuk jena fort të knaqt me reduktimet që na u kanë bo, neve na nalet aparati shembull kur nuk ka rryme, edhe myshteria si nuk ka kafe, normal që po qohen”, thotë Florin Fetahu qytetar.

Megjithatë, KOSTT ka kërkuar nga qytetarët kursim të energjisë, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me lehtësi.

 


MË SHUME NGA Lajme