Borell: S’ka marrëveshje, por nuk dorëzohemi
Foto/Europian Union EC AV Portal
Lajme

Borell: S’ka marrëveshje, por nuk dorëzohemi

Blerim Halimi /RTKlive.com

(E plotësuar) Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell ka thënë se në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk ka pasur marrëveshje.

“BE nuk dëshiron të shoh ringjallje të tensioneve dhe palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo përshkallëzimi në terren”, ka thënë Borrell në dekaratën për media.

“Fatkeqësisht sot nuk kemi arritur marrëveshje, por ky nuk është fundi i këtij tregimi sepse të dy liderët janë pajtuar se diskutimet do të rifillojnë. Unë nuk do të dorëzohem. Nuk ka marrëveshje në ditën e sotme, por nuk do të ndalemi, nuk do të dorëzohemi sepse deri më 1 shtator ka kohë ende”, ka shtuar Borell.

Ai ka thënë se takimi i sotëm nuk ishte ndonjë takim normal apo i rregullt.

“E kemi thirrë këtë takim sepse po ballafaqohemi me zhvilllime kryesisht negative dhe rritje të tensioneve në veri. Ky takim kishte të bënte me përgjegjshmërinë e të dy liderëve në kërkim të zgjidhjeve në mirëbesim, për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetit”, ka theksuar Borell.

Sipas tij takimi ka ndodhur në momentin kur jemi në një kohë kritike.

“E shohim kthimin e luftës në kontinentin tonë, pas invazionit rus në Ukrainë. Ballafaqohemi me një moment dramatik dhe mjaft të rrezikshëm për gjithë kontinentin tonë. Ky nuk është momenti për rritje të tensioneve. Është koha për të kërkuar zgjidhje dhe për të zgjidhur çështje apo probleme afatgjate dhe të qëndrueshme. I kam thënë të dy liderëve se ky ishte një takim për menaxhim krizash dhe jo takim i rregullt, dhe qëllimi i takimit ishte të qetësohej situata në terren. Po ashtu, jemi fokusuar në rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Të dy liderët patën mundësi të diskutonin në hollësi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, derisa tensionet aktuale në terren janë simptome të një problemi më thellë”, ka nënvizuar Borell.

Sipas tij BE po merret me një simptom që ndodh sot këtu, e që nesër mund të ndodh diku tjetër, sepse ka një gjë sipas tij që qëndron përfundi kësaj.

“Besoj se presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e kanë kuptuar se nuk ka ndonjë alternativë ndaj dialogut për zgjidhjen e këtij problemi. Sigurisht se ka dallime të mirënjohura midis tyre sa i përket këndvështrimit të tyre se cili do të jetë statusi përfundimtar i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, ata janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet për ta përshpejtuar procesin e normalizimit. Dhe kjo do të jetë në majën e agjendës sime, bashkë me përfaqësuesin Miroslav Lajçak”, ka thënë Borell.

 

Përfundon takimi 

Ka përfunduar takimi Kurti - Vuçiq, ndërsa presidenti Vuçiq për herë të parë nuk është prononcuar para medieve dhe është larguar nga ndërtesa e BE-së.

Kryengociatori serb Petar Petkoviq  deklaroi për mediat se do të qëndrojë edhe një kohë në Bruksel dhe se nesër do të kthehet në Beograd.

“Menduam se është e mundshme të arrihet kompromisi. Askush prej delegacionit tonë sot nuk do t’i drejtohet mediave”, ka theksuar Petkoviq, duke shtuar se delegacioni nga Beogradi ka luftuar për paqe, stabilitet dhe zgjidhje kompromisi.

“Presidenti Vuçiq nesër pas kthimit në Beograd do t’i drejtohet opinionit dhe do të jetë një prej fjalimeve të tij më domëthënse për publikun”, ka nënvizuar Petkoviq.

Borrell: Është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë

Në Bruksel ka nisur takimi i përbashkët midis liderëve të Kosovës, Serbisë dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.  Pas takimeve dypalëshe, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Kryeministri Albin Kurti është takuar sot në mëngjes në Bruksel me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, në kuadër të vazhdimit të dialogut në nivelin më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas më shumë se një viti.

 

Pas takimit me Kurtin, Borell dhe Lajçak kanë biseduar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ndërkaq, pas takimeve të ndara, ashtu siç është planifikuar ka filluar takimi i përbashkët trepalësh.

Pas takimeve dypalëshe, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët.”, ka shkruar Josep Borell në Twitter.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Në Bruksel sot mbahet takimi Kurti - Vuçiq

N.Mekolli /RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot, në Bruksel, dhe në këtë takim fokusi do të jetë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Bashkimi Evropian tha se takimi synon zbutjen e tensioneve ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifkimit dhe targave të makinave.

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak pas takimeve që ka pasur një ditë më parë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka ndarë fotografi, ndërkohë që ka shkruar se këto takime ishin përgatitje për diskutimet e së enjtes.

Bashkimi Evropian e ka zbardhur agjendën e takimit të satëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimi do të nisë në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell do të japë deklaratë për medie.

Ky takim mes dyshes nga Kosova e Serbia vjen pas më shumë se një viti bllokadë të takimeve të këtij niveli në Bruksel.

Takimi i 18 gushtit është takimi i tretë i radhës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Dje, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.


MË SHUME NGA Lajme