Haxhiu për rastin e dhunës në Prizren: Pres trajtim nga institucionet
Rtklive
Lajme

Haxhiu për rastin e dhunës në Prizren: Pres trajtim nga institucionet

Emine Hoti/ RTKlive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën e ushtruar ndaj grave, vajzave dhe fëmijëve.

Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se ka kërkuar nga policia dhe prokuroria që rastin e dhunës fizike në Prizren ta trajtojnë me prioritet.

Ajo ka thënë se dhuna fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht.

“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën fizike dhe emocionale të ushtruar ndaj grave, vajzave e fëmijëve. Fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht, pa asnjë pikë problemi. Nëse dhunuesit dhunën fizike e ushtrojnë edhe publikisht, e marrim me mend se çka ndodhë prapa dyerve të mbyllura”, ka shkruar  Haxhiu.

Sipas saj, çdo formë e dhunës ndaj vajzave, grave dhe fëmijëve, duhet trajtuar seriozisht dhe menjëherë.

“Për rastin e dhunës fizike në Prizren, kam raportuar policinë dhe prokurorinë dhe pres që institucionet ta trajtojnë me prioritet këtë rast, dhe viktimat e qytetarët të sigurohen se dhunuesit do të ndëshkohen”.

Ndryshe të mërkurën në Prizren një person ishte filmuar duke e sulmuar fizikisht një vajzë në rrugë.


MË SHUME NGA Lajme