S`ka interesim për vaksinim -Video
Rtklive
Lajme

S`ka interesim për vaksinim -Video

Venera Adili /RTK

Vazhdojnë shifrat e larta të të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit, një person ka humbur jetën dhe mbi 480 raste të reja me Covid-19 janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit. E vaksinimi, përfshirë edhe fëmijët, vazhdon të mbetet i ulët.

Qendra e Vaksinimit në kryeqytet frekuentohet herë pas here nga të interesuarit për ta marrë vaksinën kundër COVID-19. As numri i rritur i rasteve të shënuara nuk ka shtuar interesimin për këtë vaksinë, që aplikohet nga mosha 5 vjeç.

“Në njësinë e vaksinimit punohet në dy ndërrime dhe nuk ka ndonjë numër të shtuar dhe më të interesuar janë moshat mbi 60 vjet për dozën e katërt”, thotë Florie Rashani, infermiere në njësinë e vaksinimit në Prishtinë.

Ndërkaq, profesionistët shëndetësorë vazhdojnë të rikujtojnë se personat që janë të vaksinuar e kalojnë më lehtë koronavirusin

 “Këto ditë kemi më pak pacientë të shtrirë, te personat e vaksinuar kalon më lehtë infeksioni”, thotë Murat Mehmeti, infektolog.

Problemi kronik në klinikën infektive është mungesa e stafit të mesëm, ku kujdesi për pacientin nga profesionisti është në raportin 20 me 1.

“Ne kemi mungesë të stafit infermierorë për faktin se ku kemi pacientë të shtrirë për 20 pacientë kujdeset 1 infermier”, thotë Mehmeti.

Personat që kërkojnë trajtim janë kryesisht në moshë më të shtyrë e me sëmundje të tjera.

 


MË SHUME NGA Lajme