Kërkohet përkrahje për bizneset që u shkaktohen humbje nga KEDS
Rtklive
Lajme

Kërkohet përkrahje për bizneset që u shkaktohen humbje nga KEDS

RTKlive

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovën, përmes një shkrese, drejtuar kryeministrit Kurti dhe Qeverisë, ka kërkuar që me urgjencë të ndërmerren masa ndaj humbjeve që po u shkaktohen bizneseve, si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, e të cilat gjatë kësaj jave janë të theksuara më shumë.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, humbjet të cilat po u shkaktohen bizneseve si rrjedhojë e ndërprerjeve të energjisë elektrike është e pamundur të kompenzohen, prandaj në emër të bizneseve ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të ndahet një fond i veçantë për përkrahje të tyre.

“Përveç humbjeve financiare që po u shkaktohen bizneseve nga ndërprerjet e energjisë, të njëjtat gjithashtu po rrezikojnë të humbin edhe tregun e shitjes duke u të dëmtuar nga mos realizimi i kontratave sipas planifikimeve paraprake si dhe nuk po arrijnë të kryejnë obligimet ndaj punëtorëve dhe shtetit”,  thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Njëherit kjo Dhoma e Tregtisë konsideron që ndarja e fondit për përkrahje të bizneseve duhet të trajtohet si nevojë jashtëzakonisht emergjente, prandaj ka kërkuar që të ndërmerren hapa konkret në afat sa më të shkurtër kohor, pasi që aktualisht vetëm brenda një dite, mosfurnizimi me energji elektrike nga KEDS është 4 orë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreson në një reagim më të shpejtë të Institucioneve të Kosovës.

 


MË SHUME NGA Lajme