“Diplomacia me tensione, lojë e rrezikshme në Ballkan”
Rtklive
Lajme

“Diplomacia me tensione, lojë e rrezikshme në Ballkan”

REL

Liderët e Kosovës dhe Serbisë mund të jenë duke kontribuar në rritjen e tensioneve, për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy shteteve.

Kështu mendon, bashkëpunëtori i lartë i Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik nga Uashingtoni, Damir Marushiq.

Marushiq ka komentuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 18 gusht, që nuk prodhuan rezultat. Ai tha se nuk ka shpresa që së shpejti do të arrihet një marrëveshje finale.

Sipas tij, diplomacia që inkurajon tensione, është një lojë e rrezikshme në një situatë me tensione në veri të Kosovës.

Disa ditë para se të zbatohen vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, Mashuriq nuk pret ndonjë konflikt të zgjeruar, por thotë se nuk përjashtohen skenarët e dhunshëm.

“Në njërën anë, me të vërtetë duket se jemi në një ngërç serioz, ku është vështirë të shihet kur do të arrihet rezultat. Por në të njëjtën kohë, ka të bëjë me diplomacinë. Unë mendoj që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke shtyrë këtë linjë, që në parim duhet të theksohen kundërshtimet, para se të arrihet ndonjë rezultat. Roli i diplomacisë është të merren situata të tilla dhe të jenë kreativë me to. Patjetër, ajo çfarë është e nevojshme për këtë është një vullnet i mirë, nga të dyja anët, dhe nuk e kemi parë këtë”, thotë ai.

Damir Marushiq, thotë se, një nga gjërat e rëndësishme është që lehtësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, dhe partnerët perëndimorë në përgjithësi, të luajnë po ashtu një rol proaktiv dhe kreativ për të arritur një zgjidhje për këtë situatë.

“Rreziku është i lartë, ky dialog është shumë i rëndësishëm për të arritur çfarëdo zgjidhje të qëndrueshme për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të them se kam shpresa [ për zgjidhje], por mund të them se nuk jam edhe i pashpresë në këtë pikë”, thotë ndër të tjera .

Sipas bashkëpunëtorit të lartë të Qendrës Evropiane të Këshillit Atlantik, kanë munguar përgatitje për dialog.

 “Në fakt jam i zhgënjyer që nuk ka pasur më shumë përgatitje. Më duket se duke hyrë në bisedime, pozicionet publike të të dyja anëve kanë qenë mjaft jofleksibile, që tregonin se ishim në drejtim të rezultatit që morëm. Por, prapëseprapë, nganjëherë magjia ndodh në dhomë”, ka thënë postjerash Marushiq.


MË SHUME NGA Lajme