Seminaristët vizituan Gjakovën dhe Prizrenin-Video
Venera Adili /RTK
Kosova ishte adresë e shumë turistëve e studiuesve gjatë kësaj vere. Këto ditë, kur po mbahet seminari ndërkombëtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, vendin po e vizitojnë shumë të huaj. Gjakova e Prizreni sot ishin qytetet që u vizituan nga ta.
Magdalena Dimitrova nga Bullgaria dhe Borivoje Lazic nga Serbia flasin shqip teksa shëtisin nëpër Gjakovë.
Ata bashkë me dhjetëra pjesëmarrës të tjerë në Seminarin e Gjuhës janë zhvendosur nga Prishtina për të parë qytete tjera.
“ Të gjitha ekskursionet që i kemi pasur gjatë seminarit kanë qenë eksperienca të mira. Mënyra se si njerëzit të mirëpresin me ngrohtësi dhe se si ata e kanë ruajtur historinë ”, tha Magdalena Dimitrova, pjesëmarrëse në seminar.
“Më ka pëlqyer shumë edhe Gjakova edhe ideja për të vizituar qytetet tjera, unë kam qenë në disa prej këtyre vendeve por më pëlqen të vizitoj edhe më shumë”, tha Borivoje Lazic, pjesëmarrës në seminar.
Kjo ka qenë dita e 6 e aktiviteteve në kuadër të seminarit por pa kurse e pa ligjërata.
Shëtitja që filloi në Gjakovë e më pas në Prizren ishte shumë e mirëpritur.
“Tradicionalisht kemi dalë edhe në shëtitje dhe studentëve ju pëlqen që përveç ligjëratave e kurseve të gjuhës të shohin edhe qytetet turistike . E kanë mirëpritur të gjithë dhe po e shijojnë”, tha Drejtor i Seminarit, Shkumbin Munishi.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që është në dekadën e 4 të organizimit, do të vazhdojë edhe javën tjetër me aktivitetet e parapara.























