Sulmi në Gramsh, Osmani: Autorët të mbajnë përgjegjësi
Emine Hoti/RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka folur me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj për sulmin e djeshëm ndaj ushtarëve në Gramsh.
Osmani përmes një postimin në Twitter ka thënë se autorët e këtij sulmi duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Kam folur me Presidentin Bajram Begaj për sulmin e fundit ndaj ushtarëve shqiptarë në fabrikën e Gramshit. Të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë. Autorët e këtij sulmi duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar ajo.
Osmani ka thënë se institucionet tona janë të gatshme të ofrojnë çdo mbështetje të nevojshme, teksa u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Kryeministri Kurti dënon incidentin në Gramsh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka dënuar incidentin në uzinën ushtarake në Gramsh, ku dy shtetas me pasaporta ruse dhe një ukrainase kanë tentuar të hyjnë mbrëmë.
Sipas njoftimit, Kryeministri Kurti u ka dëshiruar shërim të shpejtë dy ushtarakëve shqiptarë të lënduar nga sulmi me sprej neoparalizues.
“Urojmë që hetimet që po vijojnë nga autoritetet e Shqipërisë të zbardhin sa më shpejtë rrethanat e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Tutje në njoftim thuhet se Ministria e Mbrojtjes së Kosovës është në kontakt me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.























