Vuçiq: Kam marrë mbështetjen e serbëve të Kosovës për kompromis-video
RTKlive
Në takimin e sotëm në Beograd, përveç krerët institucionalë serbë, ishin edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga Lista Serbe, si dhe të organeve të Serbisë që veprojnë në Kosovë, por edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Takimi, siç bëhet e ditur nga korrespondentja e RTK-së në Beograd, Anamari Repiq, ka filluar pak pas orës 11:00 dhe ka zgjatur më pak se një orë.
Ajo që dihet, në takim është diskutuar për dialogun në Bruksel, që, sipas Beogradit zyrtar, ka përfunduar pa ndonjë rezultat, duke paralajmëruar se negociatat do të vazhdojnë mbase në ditët e ardhshme deri më 1 shtator, kur fillon edhe zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me reciprocitetin në dokumente identifikimi dhe targat.
Pikërisht për këto çështje, Beogradi zyrtar ka dalë me qëndrimet që për serbët që jetojnë në veri të Kosovës të mos vlejnë vendimet e Qeverisë së Kosovës, por që Qeveria e Kosovës ka refuzuar t’i pranojë.
Ndërkaq nga deklarimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar opinionit serb për situatën në rajon, u kuptua se ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve nga Kosova për një zgjidhje kompromisi për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.
Ai, po ashtu, tha se Serbia nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, kolona të refugjatëve.
Madje ka zbuluar gjashtë pikat e propozuara nga pala kosovare sa i përket marrëveshjes përfundimtare:
1. Njohja e ndërsjellë dhe hyrja apo pranimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
2. Zgjidhja e problemit të zhdukurve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe asaj publike, rikthimi i artefakteve dhe veprave tjera artistike që Serbia i mori nga Kosova, dhe në fund të paguhen dëmet e luftës nga ana e Serbisë.
3. Bashkëpunimi në të ardhmen.
4. Të drejtat që serbët e Kosovës i kanë në veri, t’i kenë edhe shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë.
5. Rishqyrtimi i marrëveshjeve të mëparshme.
6. Dhe krejt për fund marrëveshja përfundimtare.
Për më tepër ndiqni videon:























