FFK sqaron se në Ferizaj është këputur kabllo e VAR-it nga tifozët
Uran Krasniqi/RTKLive
Derisa sot në Ferizaj zhvillohej ndeshja mes ekipit me të njëjtin emër dhe Prishtinës është këputur kabllo e VAR. Kjo është konfirmuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Në raportin e FFK-së për ndeshjet e zhvilluara të dielën është shkruar se kabllo e VAR është këputur nga tifozë të pandërgjegjshëm.
"Në minutën e 33-të gjyqtari Erdall Zasella akordoi penallti, por e cila më pas me ndihmën e VAR-it u shfuqizua. Si rrjedhëjë në këtë rast pati vonesë për rifillimin e ndeshjes, pasi si pasojë e këputjes së kabllos së sinjalit nga ana e disa tifozëve të pandërgjegjshëm, gjyqtari Zasella nuk kishte mundësi ta shikojë rastin diskutabil në monitorin që është në fushë, përderisa ekipi teknik i FFK-së e riktheu sinjalin tek monitori i VAR-it në fushë me një kabllo tjetër", ka sqaruar FFK.
Nga stafi drejtues i Prishtinës janë ankuar për rastin që ka ndodhur, duke pretenduar se u është mohuar penalltia.
Ndeshja Ferizaj-Prishtina ka përfunduar me rezultat 0-0.























