Blinken s `heziton të angazhohet në dialog, nëse është e domosdoshme -Video
RTKlive
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price ka folur për dialogun Kosovë – Serbi, në ditën kur priten vizita të emisarëve të SHBA-së e BE-së në Prishtinë e Beograd. Price, është shprehur se edhe sekretari i shtetit, Antony Blinken nuk do të hezitojë të angazhohet në këtë proces nëse shihet e domosdoshme.
I pyetur rreth bisedimeve Serbi-Kosovë, dhe konkretisht, a mund të pritet që Sekretari Blinken të thërrasë një takim ose me telefon ose personalisht në Uashington para 1 shtatorit – pasi dihet se ky është afati i fundit për zgjidhjen që duhet gjetur me Presidentin e Serbisë Vuçiç dhe kryeministrin Kurti, Price u përgjigj:
“ Pra, ne kemi qenë thellësisht të angazhuar në këtë. Ne kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç thashë javën e kaluar, mirëkuptimi ynë është se bisedimet janë në vazhdim. Ne po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në. Ne po inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive. Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në masën maksimale për të çuar përpara diskutimet e tyre mbi marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara gjithashtu në njohjen reciproke. Mund të them gjithashtu se përveç Escobarit qe kemi pasur në Bruksel, ai do te udhëtoi në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur dialogun, për të vazhduar të tregojmë interesimin dhe angazhimin tonë të nivelit të lartë për këtë çështje. Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun".
Ndërsa në pyetjen nëse Sekretari Blinken – a mund të pritet të thërrasë në telefon ose të ketë takim personal me liderët e Serbisë dhe Kosovës, Price deklaroi :
“ Nëse mendojmë se angazhimi i Sekretarit përmes telefonit ose personalisht është përbërësi i domosdoshëm për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe të bëjë ato biseda”.























