Kërstiç: Prezenca e KFOR-it në veri, ofron siguri dhe qetësi për qytetarët
BKT
Lajme

Kërstiç: Prezenca e KFOR-it në veri, ofron siguri dhe qetësi për qytetarët

Berianë Mustafa / Radio Kosova

Në veri të Kosovës nuk pritet të ketë tensionim të situatës nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, por nga ndonjë vendim i kabinetit te presidentit në Serbi. Kështu thotë analisti serb në veri të Kosovës, Branisllav Kërstiç. Ai në një prononcim për Radio Kosovën thotë se prezenca e KFOR-it në veri, ofron siguri dhe qetësi për qytetarët atje.

Analisti serb nga veriu i Kosovës, Branisllav Kërstiç, thotë se fakti që në  Kosovë dhe Serbi po qëndron  i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, është sinjal se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë konflikt apo çfarëdo forme të dhunës në Kosovë.

“Mungesa e dialogut është vetëm momentale. Kjo situatë, jam i bindur që do të rregullohet deri në fund të muajit. Vetë prezenca e përfaqësuesit amerikan dhe ati evropian këto ditë në Prishtinë dhe Beograd tregon se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë përshkallëzim të situatës në Kosovë”, tha Kërstiç.

Kërstiç në një prononcim për Radio Kosovën  thotë se te qytetarët serbë në veri, nuk ekziston asnjë frikë për ndonjë trazirë. Por ai thotë se kjo varet nga vendimi që mund ta marrë kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Unë pres që do të jetë qetë. Serbët janë shumë të shqetësuar, jo por për atë se si do të veprojnë institucionet e Kosovës por se a do vijë deri te urdhri nga kabineti i Vuçiqit, nëse dikush do t’i urdhërojë të dalin në barrikada dhe bllokada”, tha ai për Radio Kosova.

Sipas tij, vendosja e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, qetëson plotësisht situatën bë veri. Ai thotë se vendosja e KFOR-it në veri, flet për tri çështje kryesore.

E para, prania e KFOR-it në Kosovë, tregon se forcat policore dhe ushtarake të Kosovës nuk kanë çfarë të kërkojnë në veri, e dyta është që asnjë institucion në nivel qendror në Prishtinë, nuk mund të  ndërmarrë asnjë aksion pa dijen e KFOR-it, i cili tashmë është në terren, dhe e treta është se, ata serbë të cilët i ka armatosur Serbia, duhet të mendojnë seriozisht se tani a do të çarmatosen nga Serbia, KFOR-i, apo forcat e sigurisë kosovare.


MË SHUME NGA Lajme