Kurti: Serbia nuk është e interesuar për normalizim të plotë - Video
Blerim Halimi / RTKlive.com
(E plotësuar) Kryeministri Albin Kurti, gjatë adresimit të sotëm në mbledhjen e Qeverisë, duke folur për takimin e 18 gushtit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve, por për hapa të vegjël.
Ai ka thënë se në këtë takim ka paraqitur 6 kapitujt e palës kosovare për kornizën e marrëveshjes së përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kapitulli i parë do të duhej të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar, që nënkupton në njërën anë njohjen reciproke e në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizata ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike por edhe artefakteve arkeologjike e etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për hapat që do t’i ndërmarrim në të ardhmen, që ka të bëjë me vendosjen e bashkëpunimit. Pra, për neve e ardhmja është bashkëpunim. Bashkëpunim ky që sipas bindjes sonë si pikënisje duhet t’i ketë katër liritë themelore të procesit të Berlinit; pra liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve”, ka thënë Kurti.
Në kapitullin e katërt sipas Kurtit pala kosovare ka ofruar trajtimin e barabartë të pakicave respektive, si për serbët në Kosovë ashtu edhe shqiptarët në Serbi.
"Në kapitullin e pestë duhet të konsiderojmë marrëveshjet e deritashme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre, siç është plasur dezinformata nga pala tjetër, por shqyrtimi i asaj se cilat nga këto marrëveshje veçse janë tejkaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht të obligueshme e finale, e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen", ka shtuar ai.
Kapitulli i fundit i paraqitur në Bruksel sipas Kurtit ka qenë ai për vendosejen e qartë të mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit.
“Fatkeqësisht ky elaborim i imi nuk është shoqëruar me kontribut pozitiv nga pala tjetër, e cila në vend të ideve ka nxjerrë vetëm konstatimin se nuk janë të interesuar për normalizim të plotë por për hapa të vegjël e gradual. Ka qenë pritja jonë që pika e agjendës të konsumojë pjesën më të madhe të kohës për çka jemi treguar të gatshëm të qëndrojmë në Bruksel edhe përtej ditës së enjte. Kjo për faktin se edhe problemet e vazhdueshme mes dy vendeve i shohim mes tjerash si simptomë të mos fillimit të bisedimeve për normalizim të plotë. Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e jo thjeshtë për menaxhim krize e me hapa të vegjël, e probleme potenciale e eventuale të sigurisë. Unë atje kam qenë si kryeministër i Kosovës, as si policë, as si doganier, as si prokuror e as si gjykatës e as si shef i katastrit të Kosovës. Kam shkuar si kryeministër i Republikës së Kosovës sepse pika e parë e agjendës ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.
Kurti tutje ka thënë se për temën e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti dakordues.
“Në takimin e dytë është diskutuar për çështjet aktuale, në tavolinë kanë qenë tema e personave të zhdukur dhe liria e lëvizjes apo e vendimit të palës kosovare që të zbatohet një marrëveshje e arritur më herët në Bruksel, marrëveshje që veq është zbatuar nga ana e Serbisë që nga viti 2011. Te tema e personave të zhdukur nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti i dakorduar. Pra, për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston me përmbajtje dhe germë të dakorduar por nuk ekziston nënshkrimi, pa fajin tonë. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjtjen që shkoi”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, sipas tij për marrëveshjen për lirinë e lëvizjes ka pasur katër propozime nga ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak.
“Deklaratat se ka pasur propozime nga njëra palë dhe gatishmëri për kompromis janë të pavërteta. Ne ende kemi qenë të hapur për bisedime në këtë drejtim mirëpo nga ndërtesa ka dalë pala tjetër. Së pari si Republikë e Kosovës jemi tërësisht të interesuar për promovim të plotë të lirisë së lëvizjes. Kjo nënkupton se për ne opsioni më i përafruar është eliminimi i plotë nga të dyja vendet i dokumenteve të hyrje – daljeve. Sikur tash që nuk ka targa të përkohshme as në Serbi e as në Kosovë, mirë do të ishte që të mos kishte as letra ngjitëse. Por, derisa ka në njërën anë do të ketë edhe në anën tjetër”, ka thënë tutje kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se gjatë takimit kanë dhënë idenë edhe për pranimin e të gjitha dokumenteve reciproke.
Kurti po ashtu ka deklaruar se targat KS nuk mund të rikthehen në qarkullim. Sipas tij, edhe vetë presidenti i Serbisë me nënshkrimin e marrëveshjes së vitit 2016, e ka pranuar që këto targa janë ilegale dhe se mundësia për regjistrim me to është e përkohshme deri në shtator të vitit 2021.























