Kurti: Me 1 shtator dokumente hyrje/dalje për dy vendet ose asnjërën
BKT
Foto: Donika Sherifi
Lajme

Kurti: Me 1 shtator dokumente hyrje/dalje për dy vendet ose asnjërën

Muharrem Miftari/RTKlive

(Plotësuar) Kryeministri Albin Kurti deklaroi se më 1 shtator, ose do të lëshohen dokumente hyrje/dalje nga Kosova e Serbia ose nga asnjëra.

Një deklarim të tillë ai e bëri pas mbledhjes së qeverisë.

Duke iu drejtuar mediave, Kurti tha se Kosova e ka shtyrë zbatimin e këtij vendimi si gjest i vullnetit të mirë karshi kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë.

“Por një gjë e tillë nuk mund të bëhet në vazhdimësi”, rikujtoi ai, duke shtuar se Kosova ka bërë një koncesion të madh në datën 31 korrik, që vendimi që do të duhej të zbatohej nga 1 gushti, të fillojë nga 1 shtatori.

“2679 dokumente janë lëshuar, asnjë incident, asnjë ankesë. 20 sekonda mesatarisht në mënyrë fort efikase meqë gjithçka kryhet në mënyrë elektronike sa i përket marrjes së të dhënave dhe kemi dëshmuar që 1 gushti do të ishte një ditë krejtësisht e zakonshme në kontrast me 31 korrikun”, tha ai.

Sipas Kurtit, shtyrja nuk ka ndodhur në mënyrë që ajo të bëhet principi. “Shtyrja nuk është principi – gjest i vullnetit të mirë karshi brengave të partnerëve ndërkombëtarë se ka pasur një fushatë të madhe të dezinformimit përgjatë gjithë muajit korrik”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se po  luftohet dezinformimi dhe po e rritet informimi dhe me datë 1 shtator do të ketë njërin prej dy skenarëve – ose nuk do të ketë dokument hyrje/dalje as në Serbi e as në Kosovë ose do të ketë në të dyja.

“Kur ne themi që po bëjmë dialog për marrëveshje mendojmë marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që është ndërkombëtarisht dhe ligjërisht e obligueshme dhe një marrëveshje e cila e ka në qendër njohjen reciproke”, tha ai në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë.

Kurti: Lajçak propozoi targa neutrale për serbët, kjo është e papranueshme

(Plotësuar) Pas mbledhjes së Qeverisë, duke iu adresuar mediave, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur një detaj nga takimi i 18 gushtit në Bruksel, që u mbajt mes tij, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqt dhe ndërmjetësuesve të BE-së.

Ai tha se ishte emisari për dialogun, Miroslav Lajçak që nxori propozimin që për serbët e veriut të jepen targa neutrale.

Duke treguar se nuk është në dijeni se kush ia ka dhënë atij këtë ide, ai ka rikujtuar se një gjë e tillë për Kosovën është tërësisht e papranueshme.

 “Unë ato propozime  i kam parë te ndërmjetësi, por ia kam shprehur qëndrimin tonë se nuk janë të pranueshme, madje edhe sipas vetë zotimeve të Serbisë”, tha kryeministri Kurti.

Sipas tij, shumë qytetarë serbë të vendit kanë kaluar prej tabela të Serbisë në ato të Kosovës të kohës së UNMIK-ut dhe prej atyre në RKS.

“Kthimi mbrapa është padrejtësi ndaj tyre, përveçse nuk do të ishte në përputhje as me kushtetutën tonë as me ligjet tona”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti paralajmëron ftesë për takim me opozitën

(Plotësuar) Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se do t’i ftojë liderët opozitarë për takim gjatë muajit gusht.

Ai deklaroi se beson se një gjë e tillë është e nevojshme dhe e mundshme.

“Kjo meqë po i afrohemi sesionit vjeshtor në ndërkohë nuk kemi seancë të Kuvendit. Është mirë të takohemi jo vetëm për këtë çështje, por edhe për shumë të tjera”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se mund ta ta konfirmojë se do të ketë ftesë për takim me liderët opozitarë në një kohë të përshtatshme edhe për ata, por që do të jetë brenda muajit gusht.

Kurti: Reciprociteti është fryma e dialogut

Kryeminstri Kurti, në konferencë me gazetarë lidhur me takimin  në Bruksel, theksoi se në atë takim isha konstruktiv e kreativ për marrëveshje, që duhet të jetë marrëveshje finale, ku në qendër do ta ketë njohjen reciproke.

“Pika fillestare e kryesore e takimit ishte marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, ku kam prezentuar 6 pika të kornizës së marrëveshjes, pra është propozim konstruktiv e kreativ”, tha kryeministri Kurti.

Më tej ai shtoi se takimi i 18 gushtit është dashur të mbahej në korrik, por pala serbe ishte ajo që ka shtyer takimin.

Veç kësaj, kryemisntri Kurti sqaroi qëllimin e organizimit të takimit në selinë e NATO-s, sipas të cilit ai takim ka qenë për menaxhimin e krizës, prandaj ishte ftuar nga sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Takimi në Bruksel ishte takimi i liderëve për marrëveshje, prandaj agjenda ishte e qartë dhe isha i përgatitur,  githashtu ishim të matur në deklarata që të mos acarojmë situatën më tutje, por kjo nuk ishte respektuar nga pala tjetër, me deklarata që nuk kontribuojnë për paqen”, theksoi kryeministri Kurti.

Pos tjerash, ai potencoi se është i interesaur dhe përkushtuar për marrëveshje, sikundër tha ai, sa më parë, aq më mirë.

Ndërsa lidhur me propozimet e të deleguarve nga SHBA e BE, Escobar dhe Lajçak, për tejkalimin e krizës, kryeministri Kurti deklaroi se ka pasur opsione, si dhe  do të ketë takim edhe sot, po ato që janë të pranueshme për ne janë ato që janë të pranueshme për Kushtetutën e Kosovës, reciprociteti është fryma e dialogut, pa frymë nuk do të ketë dialog.

“Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk mund të bëj asgjë kundër Republikës”, tha kryeministri Kurti.

“Dialogu asimetrik ku Kosova është më shumë temë, sesa palë më nuk do të ngjajë, ndaj do ta shohim në takimin e sotëm nëse ka opsione të tjera”, deklaroi, mes tjerash, kryeministri Kurti në konferencën me gazetarë.

Ndërkaq, lidhur me deklaratën e të deleguarit nga SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Kurti theksoi se kjo çështje nuk ka qenë temë diskutimi në Bruksel.


MË SHUME NGA Lajme