Osmani në takim me gazetaret ukrainase, i inkurajon ta mbrojnë të vërtetën
BKT
Foto: Zyra e Presidencës
Lajme

Osmani në takim me gazetaret ukrainase, i inkurajon ta mbrojnë të vërtetën

RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani, në ditën e pavarësisë së Ukrainës, priti në takim një delegacion të gazetareve të strehuara nga Ukraina në Kosovë, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, të iniciuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, si dhe të mbështetur nga Qeveria e Kosovës.

Presidentja Osmani ka uruar gazetarët ukrainas në ditën e pavarësisë së Ukrainës dhe ka inkurajuar ata për ta vazhduar punën e guximshme në mbrojtjen e së vërtetës.

“Askush më mirë se populli i Kosovës nuk e njeh dhimbjen dhe vuajtjet e popullit ukrainas. Në luftë nevojitet të plasohet e vërteta. Siç ka fituar Kosova më 1999 bashkë me miq, ashtu do të fitojë edhe Ukraina”, ka theksuar Osmani në takim me gazetarët ukrainas, njofton Presidenca.

Sipas Presidentes Osmani populli i Kosovës është përkrah atij të Ukrainës, teksa ka ftuar gazetarët ukrainas që të jenë zë i fuqishëm i thellimit të raporteve ndërmjet të dy shteteve.

“Kosova do ta mbështesë popullin e Ukrainës deri kur atje të triumfojë liria dhe paqja”, ka theksuar tutje presidentja.

Ndërkaq gazetarët ukrainas kanë falënderuar shtetin e Kosovës për mbështetjen e deritashme, teksa nga AGK-ja dhe ECPMF-ja kanë paralajmëruar shtimin e numrit të gazetarëve ukrainas, të cilët do të strehohen në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme