Qeveria ndan 41 milionë për disbursimin e subvencioneve për energji
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Sipas Ministrisë së Ekonomisë kjo shumë është pjesë e zotimit prej 90 milionë euro të dhënë nga Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti si rrjedhojë e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike nga ana e ZRrE-së.
Qeveria e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë ka marrë vendim për vendosjen e obligimit për shërbim publik shtesë, kompanisë që vepron si Furnizues i Shërbimit Universal sipas zotimit të ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët.
Në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Ekonomisë thuhet se me këtë vendim, obligohet FShU-ja që të sigurojë energjinë elektrike për furnizimin e konsumatorëve nën kushtet më të favorshme ekonomike dhe të përdorë fondet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në formë të subvencionit të dedikuara për konsumatorët për të zbutur ndikimin e tarifave të energjisë elektrike tek qytetarët.
“FShU gjithashtu obligohet që t’i ofrojë informata të sakta konsumatorëve për ndikimin e subvencionit në faturën e tyre mujore. Ndërsa, Ministrisë së Ekonomisë të dhëna të detajuara mbi shfrytëzimin e subvencionit”.
Në këtë mbledhje qeveritare gjithashtu u mor vendimi për ndarje të mjeteve në shumë prej 41 milionë euro tek Ministria e Ekonomisë, për të mundësuar kështu disbursimin e mjeteve për subvencionimin e konsumatorëve për periudhën shkurt-korrik 2022.
Sipas Ministrisë kjo shumë është pjesë e zotimit prej 90 milionë euro të dhënë nga Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti si rrjedhojë e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me qëllim të zbutjes së ndikimit të rritjes së tarifave tek konsumatorët.























