Qeveria dhe forcat e NATO-s zotohen për garantimin e sigurisë
Valbona Thaçi/RTKlive
Gjeneral Major Kajári, ka njoftuar Kurtin rreth angazhimeve dhe përgatitjeve shtesë të KFOR-it për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári, ka bërë të ditur nga Zyra e Kryeministrit.
Sipas njoftimit në këtë takim, u theksua zotimi për angazhim dhe koordinim ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) për garantimin e sigurisë dhe lëvizjen e lirë.
Kurti dhe Ministri Sveçla falënderuan Gjeneral Major Kajárin për angazhimin dhe përkushtimin e KFOR-it, veçanërisht javëve të fundit, thuhet në njoftim.
Gjeneral Major Kajári e njoftoi Kryeministrin Kurti për praninë, angazhimet dhe përgatitjet shtesë të KFOR-it për të garantuar paqe e siguri në veri të Ibrit.
Poashtu siç bën të ditur njoftimi nga kryeministria në këtë takim është ritheksuar gatishmëria për komunikim, bashkërendim të veprimeve e bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.























