Sot filloi greva e përgjithshme, sindikalistët duan plotësimin e kërkesave
Rtklive
Foto: Arlinda Sejda/ RTK
Në Fokus

Sot filloi greva e përgjithshme, sindikalistët duan plotësimin e kërkesave

Albana Bajrami / Radio Kosova

Punëtorët e sektorit publik, kanë filluar sot grevën e përgjithshme të paralajmëruar ditë më parë nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës. Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, bëri të ditur për Radio Kosovën se në këtë grevë janë përfshirë shërbyesit civilë të nivelit lokal dhe atij qendror si dhe i tërë sektori i arsimit. Ndërkohë, kryeministri Kurti ka deklaruar se grevës i ka humbur kuptimi pas procedimit të Ligjit për Paga.

Greva e paralajmëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, ka filluar sot, ndërsa pritet të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve të sektorit publik. Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se edhe pas takimeve që kanë zhvilluar këto ditë me përfaqësuesit e qeverisë, nuk është arritur ndonjë marrëveshje, derisa bëri të ditur se cilët sektorë janë të përfshirë në grevë.

“Në grevë janë i tërë sektori i arsimit, shërbyesit civilë, që nënkupton nga niveli lokal dhe nga niveli qendror. Ka sindikata që edhe përkundër dëshirës dhe mbështetjes që na e bëjnë, nuk kanë të drejtë ligjore për të marrë pjesë në grevë, siç janë policia, zjarrfikësit e të tjerë”, tha Jasharaj.

Ndërkohë, kryeministri Kurti është deklaruar dje lidhur me grevën e paralajmëruar nga sindikalistët, për të cilën tha se i ka humbur kuptimi pas procedimit për konsultime paraprake të Ligjit për Paga.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike, që tashmë Ligji për Paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë, është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë”, tha kryeministri.

Kurse, sindikalistët i bënë thirrje qeverisë që të shikojnë me seriozitet kërkesat e tyre, përndryshe greva do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje.


MË SHUME NGA Në Fokus