Lajçak në Mitrovicën e Veriut: Nuk mund të ketë më barrikada
REL
(E plotësuar) Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.
Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.
“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale... Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut.
Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet.
“Ka aq shumë spekulime rreth këtij procesi”, tha ai.
Diplomati evropian nuk komentoi as deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nga 1 shtatori do të nisë zbatimi i vendimeve për targa dhe dokumente udhëtimi, por tha se "po punohet që të mos ketë barrikada".
“Unë jam optimist, duhet të jem optimist. Ne duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale dhe e zakonshme”, tha Lajçak.
Escobar tha shkurtimisht se “misioni vazhdon në Beograd” dhe se ai shpreson të bëjë një deklaratë në Beograd - sot më vonë ose nesër.
As Lista Serbe - subjekti më i madh serb në Kosovë, përfaqësues të të cilit morën pjesë në takim - nuk u prononcua për media.
Përfundon takimi i Escobar dhe Lajçak me serbët në veri
RTKLIVE
(E plotësuar) Ka përfunduar takimi i dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me përfaqësuesit politik të minoritetit serb në veri të Mitrovicës.
Takimi ka zgjatur rreth dy orë. Nga aty dy emisarët e lartë do të marrin rrugë për në kryeqytetin serb, ku do të kenë takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si dhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovë, Petar Petkoviq.
Escobar e Lajçak në takim me Listën Serbe në Mitrovicë|Video
RTKLIVE
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po qëndrojnë sot në veri të Mitrovicës, ku kanë filluar takimin me përfaqësuesit politik të minoritetit serb.
Në takim krahas dy emisarëve është i pranishëm edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, derisa nga pala serbe të pranishë janë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, Milan Radojeviq, Dragisha Miloviq, Zoran Todiq dhe Srxhan Vuloviq.
Dy emisarët gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare, teksa kanë deklaruar se qëllimi i vizitës së tyre është parandalimi i përshkallëzimit të situatës më 1 shtator.
Ndërkohë, sot pasdite Escobar dhe Lajçak do të takohen në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.























