Analistët: BE mund t’i ftojë në takim Kurtin e Vuçiqin, para 1 shtatorit
BKT
Lajme

Analistët: BE mund t’i ftojë në takim Kurtin e Vuçiqin, para 1 shtatorit

Ardiana Hajzeri Radio Kosova

Vizitën e emisarëve të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar, dhe Miroslav Lajçak, në Kosovë, analistët politikë në vend po e vlerësojnë si përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për targat dhe dokumentet personale para 1 shtatorit, kur pritet të zbatohet reciprociteti. Ata presin edhe një takim në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, para 1 shtatorit.

Takimin e djeshëm ndërmjet liderëve të vendit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njohës të rrethanave politike në vend e vlerësojë të rëndësishëm. Por, ata theksojnë se Bashkimi Evropian, mund të ftojë për një takim të ri në Bruksel kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiq, para datës 1 shtator. Analisti Gurakuq Kuqi thotë për Radio Kosovën se BE do të bëjë edhe një përpjekje  për arritjen e  marrëveshjes për targat dhe letërnjoftimet. 

 “ Vizita e Lajçak dhe Eskobar është përpjekje diplomatike  e SHBA-së dhe BE-së për një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për sa i përket çështjes se targave dhe dokumenteve të identifikimit. Por kjo nuk ka mbetur me kaq, është edhe përpjeke për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, tha Kuqi.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Shqiprim Pula, vizitën e dy përfaqësuesve më të lartë amerikanë dhe evropianë, e sheh si angazhim të shtuar që palët të bindën për gjetjen e një zgjidhjeje për zbatimin e marrëveshjeve.

“ Kjo vizitë është në vazhdën e ecurive që palët në dialog t’i bindin që t’i përafrojnë qëndrimet. Natyrisht pala jonë ka pasur një deklarim publik lidhur me konsistencën e qeverisë për jetësimin e atyre dy vendimeve për targat dhe letërnjoftimet. Nuk duhet harrur që ato dy vendime paraqesin gatishmërinë dhe nevojën imediate që të shtrihet sovraniteti shtetëror”, tha Pula.   

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndruan për dy ditë në Kosovë. Ata takuan udhëheqësit e lartë të vendit në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve personale, para se Kosova të fillojë zbatimin e reciprocitetit më 1 shtator.

 


MË SHUME NGA Lajme