BSPK: Kërcënimi i grevistëve akt i paligjshëm dhe aspak i mirë
Fadil Sertolli / RTKlive.com
Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), përmes një reagimi të saj ka bërë të ditur që janë në grevë të përgjithshme, porse kërcënimin e qeverisë e konsiderojnë antiligjor dhe shkelje të ligjit për greva.
“Duam të informojmë opinionin se tash më jemi në grevë të përgjithshme, dhe jemi në grevë pa dëshirën tonë por të detyruar nga premtimet dhe zvarritjet në përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme, nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë”, thuhet në një komunikatë për media të BSPK-së.
Tutje vazhdon komunikata se 'partneri ynë Social - Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo, sipas BSPKS-së, është antiligjore sepse shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë'.
“Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh. Partneri ynë Social - Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut të sinqertë prej nga duhet të dalim me zgjidhjen e duhur, dhe zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve”, përfundon komunikata e BSPK-së.























