Haradinaj: Punëtorët janë në të drejtën e tyre, të miratohet Ligji i Pagave
BKT
Lajme

Haradinaj: Punëtorët janë në të drejtën e tyre, të miratohet Ligji i Pagave

B. Halimi / RTKlive

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në mbështetje të sindikalistëve të sektorit publik, të cilët sot e kanë filluar grevën e përgjithshme.

Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për qasjen e tij ndaj kësaj çështjeje.

“Kryeministër mos e kërko fajin te punëtorët por te vetja jote. Ka më shumë se një vit e gjysmë që ti tallesh me ta, për të mos thënë se po i vjedhë ata. Punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë, sepse kriza ekonomike e sociale ju ka mbërritur në asht”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje lideri i AAK-së ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit të reflektojë dhe sa më parë ta miratojë Ligjin e Pagave.

“Ju kryeni punën tuaj. Miratojeni me urgjencë Ligjin e Pagave dhe reflektoni ndryshimet që kanë ndodhur. Ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që zyrtarisht ka mbërritur në 19.2%. Çdo formulë tjetër do t'u kthehet në bumerang. Është sosur durimi!!!”, ka shtuar Haradinaj.

Greva e përgjithshme e filluar sot është iniciuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme