Abdixhiku: Kemi kryeministër që me frikë e kërcënime mbulon dështimet
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Abdixhiku: Kemi kryeministër që me frikë e kërcënime mbulon dështimet

J.Musliu/RTKlive

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku,duke reaguar ndaj grevës së filluar në sektorin publik, dhe deklarimet e Ministrisë së Financave se do t’ua ndalë pagesën të gjithë atyre që marrin pjesë në grevë, deklaroi se ky është narracioni i një pushteti autokratik.

“Një pushteti që deri dje  premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik.

“Sot, shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri”.

Kryetari i LDK-së u shpreh ndër të tjera se këtë përballueshmëri, ata s’e gjejnë dot.

“Ata kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij”.

Sipas Abdixhikut, ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet.

“Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë”, shkroi Abdixhiku.

“Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo dit që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha”.

Përndryshe, sot me thirrjen e BSPK-së, në grevë kanë hyrë punëtorët e administratës dhe arsimit.


MË SHUME NGA Lajme