Bordi i RTK-së inkurajon sindikatat e RTK-së dhe të Radio Kosovës
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) sot ka takuar përfaqësuesit e tri sindikatave, Fadil Hoxha kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, udhëheqës i Hulumtimit Analizës dhe Statistikës dhe Gëzim Bimbashi kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, i cili po kështu, është zyrtar për komunikim në kuadër të Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Komunikim.
“Përfaqësuesit e sindikatave paraqitën para bordit shqetësimet e tyre të ndryshme dhe ndaras nga njëri tjetri. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së e udhëhequr nga Gëzim Bimbashi adresoi çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve të specifikuara në ligjin e punës të republikës së Kosovës dhe kontratën kolektive”, njofton Bordi i RTK-së.
Bëhet e ditur se, Bordi i RTK-së inkurajoi sindikatat e RTK-së të vazhdojnë t’i përfaqësojnë interesat e RTK-së dhe të punonjësve të saj.
“Bordi i RTK-së inkurajon punonjësit e RTK-së pa dallim njësie dhe sektori të angazhohen në punë në përputhje me kontratën e punës dhe Ligjin e Punës duke e pasur për bazë misionin e organeve udhëheqëse të RTK-së, Bordit dhe menaxhmentit për kthimin e ligjshmërisë në RTK”, thuhet në këtë njoftim.
Bordi i RTK-së, gjithashtu, bënë të ditur se në këtë mbledhje u mbajt edhe takimi me Shoqatën Sindikale të Radios, ku u diskutua për kushtet e punëtorëve në Radio Kosovë dhe për disa aspekte teknike të rëndësishme të këtij institucioni.
“Përveç takimit me përfaqësuesit e sindikatave, Bordi në këtë mbledhje diskutoi për zbatimin e rekomandimeve dhe të gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe nuk i aprovoi dy propozime, Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, atë për emërimin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të RTK-së dhe për drejtor të Departamentit të Shërbimeve të Përbashkëta”, njofton Bordi i RTK-së.























