Gashi për grevën: Kemi gjetur mbështetje nga shumë federata sindikale
BKT
Lajme

Gashi për grevën: Kemi gjetur mbështetje nga shumë federata sindikale

Muharrem Miftari/RTKlive

Sot në Kosovë ka nisur greva e përgjithshme e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Por ajo që ra në sy ishte se greva nuk u përkrah nga të gjithë punonjësit e administratës publike, pasi që kishte komuna në të cilat shërbyesit civilë ofruan shërbime për qytetarët ndërkohë që ka disa federata sindikale, të cilat nuk i janë bashkuar kësaj greve.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës , Ali Gashi, duke falënderuar të gjithë sindikalistët  dhe gjithë qytetarët për përkrahje, theksoi se greva është mjet i fundit, kur shteren të gjitha mundësitë e veprimit për të realizuar kërkesat e sindikalistëve.

Teksa foli për mbarëvajtjen e grevës nëpër komuna, duke bërë thirrje që të  mos shkaktojnë huti te opinioni lidhur me grevën, ai shtoi se BSPK ka lënë në diskrecion komunave për të organizuar grevat, duke shtuar se kanë pasur mbështetje nga shumë federata sindikale, qoftë nga policia, qoftë nga zjarrfikësit, gardianët, si dhe një pjesë e madhe e sektorit të shëndetësisë.

Tutje ai numëroi një varg kërkesash deri te ajo e 100 eurove deri në miratimin e Ligjit për Paga nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq lidhur me deklaratën se Qeveria ka thënë se do të ndalojë paga punëtorëve që hynë në grevë, veçmas atyre të sektorit të administratës në Ministrinë së Financave, që ka ngjallur reagime qoftë nga sindikata, qoftë nga partitë opozitare, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës , Ali Gashi, shtoi se beson se do ta gjendet  mirëkuptimi për veprimet sindikale, me besimin që kjo të jetë e tejkalueshme, ndryshe këto ide, sipas tij janë skandaloze.

“Jemi shtet demokratik e parlamentar e çdo tentim për ndërhyrje ndaj sindikalistëve është e dëmshme, dhe Kosova ka ligje të avancuara, sidomos ligjin për greva”, sqaroi më tej Gashi në Lajmet e fundit, në RTK.

Më tej ai ftoi Qeverinë e Kosovës që të reflektojë për të gjetur zgjidhjen e jo të tregohet e shurdhër.


MË SHUME NGA Lajme