Çitaku: Kosova me mundësi me Bidenin, por duhen sjellje konstruktive
J.Musliu/RTKlive
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se as Kosova, e as Serbia, nga evropianët dhe amerikanët, nuk shihen më njëjtë si para dy dekadash.
“Gjërat duhet parë ashtu siç janë, e jo ashtu siç ne do të donim të ishin”, deklaroi Çitaku në një postim në llogarinë e saj në rrjetet sociale.
Ish ambasadorja e Kosovës në SHBA u shpreh se disa prej ende kanë mbetur peng i botëkuptimeve të farkëtuara në vitin 1999.
“Mirëpo, askush, as në Ëashington D.C e as në Bruksel nuk e sheh rajonin me thjerrëzat e dy dekadave më parë”, u shpreh ajo.
Më tej, ish ministrja e Integrimeve Evropiane deklaroi se aleatët tanë, kur e shohin Kosovën, nuk e shohin një popull të viktimizuar të cilin duhet shpëtuar.
“Kur e shohin Kosovën, ata shohin një shtet të pavarur dhe sovran, në të cilin kanë investuar gjatë. E shohin një prej demokracive më vibrante në rajon, dhe presin nga ne të sillemi përgjegjshëm”, deklaroi ajo.

“Kur e shohin Serbinë nuk e shohin një shtet të cilin duhet luftuar. E shohin një shtet i cili sot është problematik, por potencialisht partner, dhe të cilin duan ta ankorojnë kah perëndimit”.
Sipas Çitakut, bota ka ndryshuar shumë nga viti 1999 dhe nuk ka asnjë apetit për tu marrë me menaxhim krizash në rajonin tonë.
“E ne si Kosovë e kemi një mundësi të artë me Biden në Shtëpi të Bardhë, meqë Presidenti Amerikan ka një kujtesë dhe angazhim personal në rajonin tonë”, rikujtoi ajo.
“Mirëpo, kjo mundësi duhet shfrytëzuar konstruktivisht, duke ofruar zgjidhje dhe alternativa, e jo duke shkaktuar probleme artificiale”.























