KFOR-i: Nuk kemi qenë në aktivitete stërvitore me FSK-në dhe Policinë
RTKlive
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR nëpërmjet një komunikate ka dhënë detaje lidhur me takimet e ditëve të fundit me kryeministrin Albin Kurti si dhe me përfaqësuesit e Listës Serbe, teksa ka mohuar zërat se ka bërë stërvitje të përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe FSK-në.
“Gjatë javës, komandanti i misionit të drejtuar nga NATO, KFOR, gjeneralmajor Ferenc KAJÁRI, u takua me Albin Kurti nga institucionet në Kosovë, Goran Rakiq, kryetar i Partisë së Listës Serbe, dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës. Komandanti i KFOR-it diskutoi situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe i informoi palët për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të vazhduar sigurimin dhe lirinë e lëvizjes dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të situatës”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, gjenerali Kajari theksoi në këto takime se KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 - për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Komandanti i KFOR-it, në përputhje me deklaratat e mëparshme, ka bërë të qartë se trupat e KFOR-it nuk kanë qenë të angazhuara në aktivitete stërvitore me Policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, siç thuhet gabimisht në disa raportime mediatike. Ai gjithashtu përsëriti se KFOR-i ka monitoruar me shqetësim postblloqet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe ka rikujtuar rrezikun që një situatë kaq e tensionuar të kthehet në incidente të dhunshme”, thuhet në komunikatë.
Tutje theksoi se KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën mund të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Gjenerali Kajari po ashtu u ka bëri thirrje palëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna.























