Abazi: Kosova duhet të jetë konsistente në zbatimin e ligjshmërisë në veri
BKT
Lajme

Abazi: Kosova duhet të jetë konsistente në zbatimin e ligjshmërisë në veri

Blerim Halimi / RTKlive.com

(E plotësuar) Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka deklaruar se Kosova duhet të jetë konsistente në zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtuetueshmërisë edhe në veri të vendit. Duke folur në "Lajmet e Fundit" në RTK, për atë se çfarë pret më 1 shtator, Abazi ka thënë se qëndrimi i institucioneve të Kosovës për referendumin dhe zgjedhjet serbe ka treguar se “duhet të jemi konsistent për zbatimin e kushtueshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë vendin tonë“.

“Serbia në asnjë formë nuk lejon barazinë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Nuk mund të lejojmë që Kosova të vihet në sprovë sa herë që Vuçiq tenton ta paraqesë Serbinë superiore mbi të tjerët në rajon. Ne jemi për barazi të plotë dhe reciprociteti e vendos një gjë të tillë“, ka thënë Abazi.

Ai pret që vendimet e Qeverisë për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje në kufi dhe për targat RKS në veri të zbatohen. “Ideja është që SHBA por edhe BE e kuptojnë mirë ligjshmërinë dhe zbatueshmërinë e kushtetueshmërisë së cilido vend. Pres një rritje të presionit ndaj Serbisë e jo ndaj Kosovës”, ka shtuar deputeti i LVV-së.

Sa i përket mundësisë së eskalimit të situatës më 1 shtator në rast të mos arritjes së ndonjë marrëveshje, Abazi ka thënë se në një vend ku ka mbizotëruar krimi për 20 vite mund të ketë tentim të mirëmbahet ajo situatë e paligjshmërisë, duke e përdorur veriun e Kosovës si vend të kontrabandës.

“Nuk mendoj se Kosovës duhet t’i kërkohet të bëjë kompromis me bandat në veri. Vuçiq nëpërmjet këtyre bandave po kërkon të krijojë jostabilitet këtu”, është shprehur Abazi.

Sa i përket kërcënimit të Listës Serbe për dalje nga institucionet e Kosovës, ai, ka thënë se nuk është serioz dhe i sinqertë, sepse do t’i cungonte mundësitë e tyre për të manovruar politikisht.

Abazi: Greva e sindikalistëve të mos shërbejë për agjendë politike

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se ka dyshime që greva e sindikatave është duke u përdorur për agjenda politike. Duke folur në “Lajmet e Fundit” në RTK, Abazi ka thënë se punëtorët duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre në çdo instancë, por duhet dialog i sinqertë në këtë drejtim.

“Jo gjithmonë sindikatat ka qenë në pjesën e detyrës së vet. Nganjëherë kanë bërë anime politike. Tash mbetet të shihet se a ka konotacion politik përbrenda kjo grevë. Do të duhej që gjendja e punëtorëve të jetë shumë më e favorshme, por kjo nuk ka qenë gjithmonë agjendë e sindikatave e as e institucioneve në të kaluarën”, ka thënë Abazi.

Ai tutje ka thënë se jo shpesh janë dëgjuar sindikatat duke folur për kualitetin e punës, për mbrojtjen e punëtorëve, për kushtet e tyre etj.

“Kemi punëtorë që kanë vdekur në vendin e punës edhe në sektorin publik edhe në atë privat dhe nuk e kemi pasur këtë qasje të sindikatave në të kaluarën. Presioni që sindikatat e vendosin sidomos këtë qeveri jep sinjale se sindikatat mund të përdoren për agjendë politike”, ka shtuar Abazi.

Ai ka thënë se arsimtarët dhe të gjithë punëtorët meritojnë shumë më shumë, edhe sa i përket pagave edhe kushteve të punës, por jo domosdoshmërisht sipas tij kjo të përkthehet në agjendë politike.

“Nëse qëllimi i cilësdo sindikatë është vendosja e Qeverisë në presion për agjendë politike, duhet të gjejmë forma për të diskutuar direkt me punëtorët”, ka nënvizuar Abazi.


MË SHUME NGA Lajme