Sot mbahet afati i dytë i provimit të maturës shtetërore
Rtklive
Në Fokus

Sot mbahet afati i dytë i provimit të maturës shtetërore

V.Thaçi/RTKlive

Sot do të mbahet afati i dytë i provimit të maturës shtetërore, ka njoftuar se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

Për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) organizon Provimin e Maturës Shtetërore afati i dytë, sot e shtunë, datë 27 gusht 2022.

“Testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 5084 maturantë në 59 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi janë bërë në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat.

“Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 12 maturantë”, thuhet në njoftim.

MAShTI, kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI.

Për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës. Bazuar në këtë Ligj dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi.

Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës.

Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 07 shtator.


MË SHUME NGA Në Fokus