U mbajt afati i dytë i provimit të maturës
RTKlive
Ka përfunduar afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore, i cili është mbajtur sot në organizim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.
Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).
“Sipas informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës. Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.
Kjo ministri ka falënderuar të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin, teksa ka paralajmëruar që rezultatet e
Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë do të publikohen më së largu më 7 shtator.























