Reagon kryeministri Kurti: Tani, kalime pa pengesa në kufirin Kosovë-Serbi
BKT
Foto arkiv: RTKLive
Lajme

Reagon kryeministri Kurti: Tani, kalime pa pengesa në kufirin Kosovë-Serbi

Valbona Thaçi /RTKLive

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi pas njoftimit nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, se Kosova e Serbia janë dakorduar për njohje të dokumenteve të identifikimit gjatë kalimeve kufitare.

Kryeministri Kurti me një postim në llogarinë e tij në Facebook, deklaroi se qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare.

“Njësoj do të vlejë edhe për kahen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, deklaroi kryeministri Kurti.

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit”.

Kryeministri i tha se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.

“Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”.

Ai falënderoi ndërmjetësit, Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin.

Kurti: Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar në Twitter pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje.

Kurti ka thënë se reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore.

 “Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore. Javën e kaluar fola me “Die Welt” për masat tona reciproke për targat e makinave dhe dokumentet e hyrje-daljeve me Serbinë, por gjithashtu fola edhe për fuqinë tonë punëtore të re dhe të kualifikuar, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë”, ka shkruar Kurti.

Presidentja Osmani: Liria e lëvizjes ështe themeli i shoqërive demokratike

Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane, ka thënë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

“ Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet” ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook..

Ajo ka falënderuar Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për rolin e tyre mbështetës.

“Do të vazhdojmë  pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke”, ka shtuar ajo.


MË SHUME NGA Lajme